11.5 C
Tirana
E enjte, 26 Shkurt, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    U përplas për vdekje teksa mblidhte monedhat në asfalt – Tragjedia e 7-vjeçarit në Tiranë që doli për të lypur dhe nuk u kthye më kurrë në shtëpi

    Një ngjarje e rëndë e ndodhur dy ditë më parë në kryeqytet ka tronditur opinionin publik. Një fëmijë vetëm 7 vjeç humbi jetën në mënyrë tragjike, teksa ishte duke mbledhur lëmoshë mes automjeteve në trafik, në një moshë kur duhej të ishte në shkollë apo duke luajtur me bashkëmoshatarët.

    Lidhur me këtë ngjarje, e cila ka sjellë reagime të forta në opinionin publik, ka reaguar edhe eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i cili e ka cilësuar rastin si një plagë të thellë në shoqërinë shqiptare, e jo thjesht si një tragjedi familjare.

    Sipas tij, fakti që një fëmijë 7-vjeçar detyrohet të mbledhë lëmoshë për mbijetesë tregon dështimin e mekanizmave mbrojtës socialë. Ai thekson se varfëria, mungesa e mbështetjes dhe indiferenca krijojnë terrenin ku ndodhin ngjarje të tilla, ndërsa nënvizon se siguria nuk është vetëm çështje rendi publik, por mbi të gjitha dinjiteti dhe mbrojtja e më të pambrojturve.

    Për ekspertin, kjo tragjedi duhet të “shkundë” autoritetet, pasi asnjë fëmijë nuk duhet të humbasë jetën duke kërkuar mbijetesë nëpër rrugë.

    “Një fëmijë 7-vjeçar humb jetën duke mbledhur lemoshen ne trafik për mbijetesë… Në një moshë kur duhej të mbante në dorë lodra, jo barrën e varfërisë kur duhej të mendonte për shkollën dhe ëndrrat, jo për mbijetesën. Kjo nuk është thjesht një tragjedi familjare, por një plagë shoqërore.

    Një fëmijë nuk duhet të punojë për të jetuar, duhet të jetojë për të ëndërruar. Varfëria, mungesa e mbështetjes sociale, indiferenca – të gjitha bashkë krijojnë terrenin ku ndodhin tragjedi të tilla. Dhe çdo herë që humb një fëmijë, humb pak nga ndërgjegjja jonë shoqerore.

    Nuk mjafton të tronditemi për një ditë, por duhet të pyesim: Ku ishte sistemi? Ku ishte mbrojtja sociale? Ku ishte dora e shtetit dhe e komunitetit? Sepse siguria nuk është vetëm rend publik, është dinjitet, është mbrojtje për më të pambrojturit. Sot nuk ka vend për debate, por për reflektim dhe përgjegjësi. Asnjë fëmijë nuk duhet të humbasë jetën duke kërkuar mbijetesë”, shkruan eksperti.

    Ndërkohë që në rrjetet sociale ka ardhur dhe nëj reagim nga daja i të miturit. Përmes një postimi, me zemrën e thyer ai ka ndarë dhimbjen me ndjekësit.

     “Jeta e dajes, qofsh i xhehnetit”, shkruan ai krah fotos me të miturin.

    Ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive ligjore, rasti ka rihapur debatin mbi fenomenin e fëmijëve që lypin në rrugët e kryeqytetit dhe mbi rolin e institucioneve në mbrojtjen e tyre. Një tragjedi që, përtej shifrave dhe procedurave, mbetet një kambanë alarmi për shoqërinë.

    Sipas burimeve nga grupi hetimor, i mituri në momentin e ngjarjes po lypte në një nga akset e frekuentuara të qytetit. Ai kishte dalë përpara automjetit që drejtohej nga Tomorr Shukulli për t’i kërkuar para. Pamjet filmike të siguruara nga kamerat e zonës trgonin se drejtuesi i mjetit i ka dhënë disa monedha, të cilat i kanë rënë në tokë fëmijës dhe në përpjekje për t’i mbledhur, 7-vjeçari është ulur në asfalt.

    Në atë çast semafori është hapur për automjetet dhe fatkeqësisht i mituri është përplasur.   Goditja fatale, megjithatë, është shkaktuar nga një automjet i dytë, i drejtuar nga një 42-vjeçare, e cila pas përplasjes është larguar nga vendngjarja.

    Në momentin e aksidentit janë dëgjuar thirrjet dhe britmat e qytetarëve të pranishëm. Drejtuesi i mjetit të parë ka zbritur nga makina dhe ka marrë fëmijën për ta transportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës, por i mituri nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit