13.5 C
Tirana
E hënë, 20 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Ukrainasja që gjeti shpëtim në Shqipëri: Këtu ndjehem si në shtëpinë time

    Gjithçka çfarë mbetet nga shtëpia e Olha Yatsenkos në Irpin, një qytet prej 60 mijë banorësh i vendosur 27 kilometra në perëndim të Kievit, janë fotot e mobiljeve ngjyrë kafe dhe filxhanëve të bardhë të renditur brenda tyre.

    “Ne ikëm të gjithë sapo bombardimet nisën në qytet,” thotë Yatsenko, ndërsa shpjegon se burri i saj qëndroi pas për të luftuar kundër rusëve.

    “Më pas ai më dërgoi fotot e shtëpisë së djegur dhe tani ne nuk kemi asgjë,” shtoi ajo gjatë një bisede në një hotel në bregdetin e Durrësit.

    Yatsenko, 31 vjeç, profesore e Shkencave Ekonomike në Departamentin e Tregtisë dhe Marketingut Ndërkombëtar në Universitetin “Vadym Hetman” të Kievit, është zhvendosur në Durrës që prej fundit të muajit mars, së bashku me nënën dhe djalin e saj të mitur.

    Bashkë me 334 refugjatë të tjerë lufte nga Ukraina ata janë strehuar në Diama Hotel, me mbështetjen e ambasadës së shtetit amë në Tiranë dhe ndihmën e Qendrës Komunitare Multifunksionale – një organizatë jofitimprurëse me qendër në Durrës.

    Yatsenko shprehet se janë orientuar të vijnë në Shqipëri nga Ambasada e Ukrainës në Tiranë. Përpara se të arrinte në Durrës, ajo kishte dëgjuar shumë pak për vendin mesdhetar, por thekson se është surprizuar për mirë.

    “Kur erdha këtu pashë një vend me një klimë fantastike, me njerëz që të mirëpresin dhe ndihem si në shtëpinë time të dytë – sepse shtëpia ime e parë është në Irpin – dhe pse e djegur,” thotë 31 vjeçarja.

    Yatsenko është vetëm një nga mbi 5 milionë refugjatët ukrainas që sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë lënë vendin – kryesisht gra, fëmijë e të moshuar, pas sulmit rus në 24 shkurt.

    Sipas të dhënave të bëra publike nga Zyra së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, lufta që është futur tashmë në muajin e 5-të, ka shkaktuar mbi 4600 viktima civile, mes të cilëve edhe 320 fëmijë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit