Nga Bledi Mane
-Jo nuk më flihet, dua të takoj veten! tha Mimoza Ahmeti mbrëmjen e një spektakli dhe aq u desh. Përzjerje ndjesish, humor, batuta, meme, ironi, dashuri…
Të kuptosh Mozën sot do të thotë të kuptosh kohën të cilës i përkasim, do të thotë të njohësh veten në raport me rëndësinë që mund të kemi.
Përveç batutave të sinqerta Moza është aty si grua e fortë dhe e zgjuar, filozofe, poete, artiste. Moza nuk gënjen për vëmemdje, nuk qurravitet për ca klikime, nuk shfaqet për të joshur dashnorë të rinj që e presin jashtë.
Moza është e vjetër me famën e saj, famë konstante, cilësore që nuk nisi nga silikoni i cicës por nisi 39 vjet më parë nga botimi i librit me poezi. Moza ka intelekt, ka sarkazëm, ka humor, ka pastërti, ka ritëm, ka elokuencë, ka brendi.
Ndaj sa herë të dëgjoni tek Moza thotë do takoj veten, reflektoni. Sa nga ju që qeshni e keni takuar veten tuaj?
Mimoza Ahmeti është tjetër nivel, është Shqipëria në pakicë!
Dhe për ta mbyllur po u recitoj ca vargje nga poezia e Mozës:
“Bëhu i bukur sonte!
Dëbo grindjet, largimet dhe heshtjen e vrazhdë nga kujtesa.
Sillmë nder mend mua dhe vetëm eja duke kenduar një këngë burri për jetën!”
P.S Ju që e doni Mimoza Ahmetin blijani një nga librat e saj dhe lexojeni ta njihni më shume!



