11.5 C
Tirana
E martë, 22 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Unë, gjoba dhe policia

    Nga Edona Llukaçaj

    Pasditën e vonë të së enjtes kisha merituar një gjobë për parkim të gabuar, poshtë shtëpisë sime, teksa luhej ndeshja e radhës e kampionatit europian.

    Pra gjoba më ishte vendosur në një kohë kur nëpunësit e policisë, gjithandej, kanë tendencën të jenë më mirëkuptues për shkak të tifozërisë. Kjo sepse nuk duan të perceptohen si cuba që gjëmojnë rastin dhe të ulin besueshmërinë e vet në publik.

    Më ishte vënë gjoba, paçka se disa komshinj të ndodhur aty i kishin shpjeguar me këmbëngluje se isha banore.

    Më ishte vënë gjobë, paçka se kisha parkuar ku parkoj qysh se kam marrë makinën e parë, pranë shtëpisë ku banoj prej dekadash, para se pulla e parkimit sipas zonave të Tiranës të shpikej.

    Gjithësesi, polici bashkiak kishte bërë me rigorozitet punën e vet, përballë pullës sime të skaduar. Nuk ka si t’i interesojë, sigurisht, se orari 9:00 -14:00, kur zyra përkatëse pranon aplikim për pullën është pjesë e orarit zyrtar, kur edhe pronarët e mjeteve presupozohet të jenë në punë.

    Do doja që polici në fjalë të kishte shfaqur të njëjtin rigorozitet edhe në hedhjen e gjobës në sistem. Jo vetëm që një qytetare e thjeshtë, si unë, të përfitonte prej pagesës së saj me 50%.

    Por edhe që avazi i gojëve të liga se vonesa të tilla janë të qëllimshme, që banorët e Tiranës të paguajnë më shtrenjtë gabimet e veta të mos zinte vend. Unë refuzoj ta besoj këtë.

    Në gjykimin tim, nëpunësi e kolegët e tij këtë periudhë kanë qenë shumë të zënë duke vënë rregull – me gjoba e pa gjoba – nëpër kryeqytet, prandaj nuk arrijnë t’i vendosin të gjitha në system në kohë.

    Do doja që rigorozitet i tillë të tregohej edhe për parkimin e dyfishtë a të trefishtë të atyre makinave superluksoze, shpesh me xhama të errët ku udhëtojnë “bosat” e një Zot e di se të çfarë. Thjesht që të mos mendohej se në Tiranë aplikohet standart i dyfishtë në bazë pushteti.

    Të mos përhapet ndër njerëz dyshimi se vendosmëria e nëpunsëve për të zbatuar ligjin shfaqet vetëm përballë të dosidoshëmve në lagjet e qytetit, ku vërviten me bllokun e gjobave në duar.

    Do doja që punonjësit në fjalë ta kishin ndjeshmërinë për ambientet publike më përfshirësë, jo vetëm për vendparkime të thella, si ai që preferohet vetëm nga një banore si unë pas orarit zyrtar dhe nga një mësuese në shkollën përballë ditët e javës. Për shembull, të merrnin ndonjë masë që trotuari i shkollës në fjalë të mos fuksiononte si një banjo e madhe publike për qentë. Nxënësit të mos detyroheshin të hynin nga dera duke kërcyer mbi fekale, që padyshim janë edhe burim sëmundjesh e kundërmojnë mos më keq, sidomos tani në verë.

    Do doja që nëpunësit të implementonin me të njëjtin rigorozitet edhe ligjin për maskat dhe qaforet e qenve. Të ndërhynin e të merrnin masa, ashtu me bllok në dorë, edhe kur ai bulldogu “tmerri i lagjes” sulmoi një tjetër familje dhe për pak u shmang tragjedia e një fëmije, disa metra larg makinave të gjobitura.

    Të mos tuten se askush nuk do e konsideronte cënim të të drejtave të kafshëve. Në fakt, do ishte mbrojtje më efikase e të drejtave të njerëzve se sa përbën shkelja e parkimit të makinave poshtë shtëpisë, pa pullë.

    Haptazi, unë do ta parkoj sërish makinën në të njëjtin vend, e lumtur që kam gjetur një të tillë në Tiranën kaotike. Edhe gjobën do ta paguaj, me ose pa zbritje, ndoshta edhe me kamatë për vonesën, atëherë kur punonjësi bashkiak ta shohë të arsyeshme ta vendosë në sistem.

    Do e bëj këtë me bindjen se kam kryer një shkelje, por edhe me bindjen se fryma për një kryeqytet të denjë dhe të jetueshëm nuk duhet lejuar që të ndotet nga një rigorizitet selektiv i zbatimit të ligjit prej nëpunsëve të rëndomtë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit