Një adoleshente viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore, e cila fillimisht u akuzua për vrasje pasi goditi me thikë përdhunuesin e saj, u dënua të martën në një gjykatë në Iowa me pesë vjet shërbim prove të mbikëqyrur nga afër dhe u urdhërua t’i paguante 150,000 dollarë dëmshpërblim familjes së burrit.
Pieper Lewis, 17 vjeç, u deklarua fajtore për vrasje nga pakujdesia dhe plagosje me dashje në vrasjen e qershorit të vitit 2020 të 37-vjeçarit Zachary Brooks nga Des Moines, qytet në Iowa. Të dyja akuzat dënoheshin me 10 vjet burg.
Gjykatësi tha se nëse Pieper shkel ndonjë pjesë të provës së saj, ajo mund të dërgohet në burg për të vuajtur dënimin 20-vjeçar.
Pieper ishte 15 vjeçe kur goditi Brooks më shumë se 30 herë në një apartament në Des Moines. Zyrtarët kanë thënë se ajo ishte arratisur dhe po kërkonte të shpëtonte nga një jetë abuzive me nënën që e kishte birësuar dhe po flinte në korridoret e një ndërtese në Des Moines kur një burrë 28-vjeçar e mori përpara se ta trafikonte me forcë te burra të tjerë për seks.
Pieper tha se një nga ata burra ishte Brooks dhe se ai e kishte përdhunuar disa herë. Ajo tregoi se ishte kërcënuar me thikë nga 28-vjeçari që të shkonte në banesën e tij për seks. Ajo u tha zyrtarëve se pasi Brooks e kishte përdhunuar përsëri, ajo mori një thikë nga një tavolinë pranë shtratit dhe e goditi.
Policia dhe prokurorët nuk e kanë kundërshtuar faktin se Pieper u sulmua seksualisht dhe u trafikua, por prokurorët kanë argumentuar se Brooks ishte në gjumë në kohën kur u godit me thikë dhe nuk ishte një rrezik i menjëhershëm për Pieper.
Iowa nuk është në mesin e dhjetëra shteteve që kanë të ashtuquajturin safe harbor law, ligj që u jep viktimave të trafikimit të paktën njëfarë niveli imuniteti penal.