15.5 C
Tirana
E hënë, 10 Nëntor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Veliaj, Balluku, drejtësia e re dhe duart e Edi Ramës

    Nga Bedri Islami

    Në harkun e një viti, më saktë, në fillimin e vitit 2025, dhe, më pas, në fundin e tij, qeveria Rama dhe pushteti i tij absolut, si nga shumë njerëz ishte parashikuar, u ndodh para dy goditjeve të rënda, ndoshta më të rëndat në pushtetin e tij të gjatë: arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, njeriut që mendohej se ishte më i afërti e ndoshta vazhduesi i tij; dhe, vënia nën hetim dhe akuzë e figurës më të lartë qeveritare në kabinetin e tij, zevëndëskryeministres, Belinda Balluku.

    Erion Veliaj është në paraburgim që nga shkurti i këtij viti; Belinda Balluku është në hetim, që nga ditët e fundit.

    Për të parin akuzat e ngritura nuk kanë të bëjnë me çështje të mëdha, – me të cilat u ushqye opozita e financuar nga pjesë të pushtetit për ditë me radhë në protestat e saj, – si inceneratorët apo lejet e shumta të ndërtimit. Akuzat ndaj tij, të paktën deri tani, janë më shumë çështje e sponsorizimeve të veprimtarive artistike të bashkëshortes.

    Për të dytën, Ballukun, është një çështje e ngritur fillimisht nga ish-shefi i opozitës, Lulzim Basha, e më pas nga krahu i tij i djathtë i dikurshëm, sot kundërshtar, mohues dhe shef i grupit parlamentar të opozitës, Gazmend Bardhi. Akuzat e ngritura deri tani kanë të bëjnë me veprimet apo mos veprimet e zonjës Balluku për investimet e tunelit të Llogarasë, një vepër në shifra shumë të mëdha. Akuza është e drejtëpërdrejtë.

    Kryebashkiaku i Tiranës vazhdon të jetë në paraburgim, zonja Balluku në zyrën e saj. Askush nuk mund të paragjykojë ende fajësinë apo pafajësinë e tyre. Budha thotë: “Ashtu si deti që është regjur me një shije, me atë të kripës, ashtu edhe shija e ligjit është drejtësia”.

    Problemi për momentin është diku tjetër. Prokuroria Speciale, në rastin e parë, krejt befas, me një shpejtësi të pazakontë, thuajse e rrëmbeu nga zyra kryebashkiakun e Tiranës, që kishte mandatin e tij të tretë me qytetarët që e kishin votuar në mënyrë plebishitare.

    Më pas ai u vendos në një kontroll jashtëzakonisht të rreptë, u trajtua si një kriminel i rrezikshëm; sistemi e vendosi në një rrethim të plotë, pa asnjë lloj kontakti, të cilin ua lejon edhe të arrestuarve për vepra thellësisht kriminale, vrasës të njëmendtë dhe përsëritës. Zotit Veliaj i krijuan gjendjen e mposhtjes, duke synuar thyerjen e plotë fizike e mendore, madje e dërguan në një vizitë të domosdoshme mjekësore përmes një furie të armatosur gardistësh e policësh. Në fund, morëm përsipër t’i mësojnë edhe pjesë të edukatës qytetare.

    Nga forca e tij politike askush nuk protestoi. Që ditën e parë shefi i qeverisë, me furinë e zemërimit të tij, duke u larguar me vrull nga Shkodra, lëshoi gjëmimin ndaj atyre që deshën të protestonin ndaj arrestimit të Veliajt, duke i kërcënuar se, “në rast se dëshirojnë të protestojnë, të kërkojnë një vend pune tjetër”. Kjo duket normale në një shtet demokratik, nëse nuk do të ishte një fjali pasuese e Ramës për SPAK, që… “askush të mos guxojë të kërkojë telefonin e tij”.

    Ndoshta jo rastësisht, por shumica qeverisëse, përmes shefit të qeverisë, kërkoi dhe inskenoi më pas me ngulm dhe çmendurisht shpejt – shkarkimin e zotit Veliaj nga funksioni i tij – pikërisht në ato ditë kur po i mbyllej dosja, – si sinjal për drejtësinë, se tani mund të veproni.

    Shkarkimi i tij, përmes skenës mizerabël të këshilltarëve mumje, të pasuar nga vendimi i Këshillit të Ministrave, u thye në Gjykatën Kushtetuese. Bashkë me të, u thye edhe veprimi i ngutshëm, – në mos i këshilluar keq i Presidentit të Republikës, në mos tjetër – që i shtoi dritë hijet e këtyre veprimeve, të cilat, e përsëris: Ishin në të njëjtën kohë me atë çfarë po ndodhte në zyrat e SPAK. Rastësisht?

    Me zonjën Balluku ndodh ndryshe. Ajo vazhdon të jetë në detyrën e saj. Vazhdon të jetë funksionare e lartë e shtetit, të jetë pjesë e përfaqësimit të qeverisë në institucione ndërkombëtare. Socialistët, pikërisht këto të sotmit që mbështetin si kukulla çdo veprim të shefit, duhet ta mbajnë mend protestën e tyre në rastin Sefgjini, ish- funksionarit të lartë të SHISH të Gazidedes, i hetuar në çështjen e vrasjes së Remzi Hoxhës, që, edhe pse nën hetim, nuk u shkarkua nga ish -shefi i qeverisë Berisha.

    Natyrisht, nuk jam për ndalimin e zonjës Balluku. Vazhdoj të besoj se fjalën e fundit e ka drejtësia, edhe nëse ajo është një drejtësi e tillë, si e jona. Por më trazojnë dy gjëra të tjera: përse në vetë shumicën qeverisëse kishte kaq shumë alergji dhe mëri ndaj kolegut të tyre, Veliaj, e jo në rastin Balluku? Përse i njëjti qëndrim, u sinkronua në kohë edhe nga drejtësia e reformuar? Kaq shumë rastësi nuk janë të zakonshme.

    Po tani që dosja Veliaj është mbyllur si hetim dhe është çuar në Gjykatë, pra kanë rënë arsyet që ai të qëndrojë i izoluar, pse nuk ndryshon masa e arrestit? A nuk do ishte më normale të ndodhte kjo, aq më tepër që tani ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetueses, që e kërkon Veliajn në vazhdimin e punëve të tij? Pse nuk u dashka të ndodhë me të, ashtu si me Ballukun apo me Berishën dhe dhëndrrin? Pse këta të dy paskan të drejtën të hetohen të lirë për akuza shumë më të mëdha se ato të Veliajt, e ky i fundit, jo?

    Së dyti, në këto ngjarje, që nuk rëndojnë vetëm figurën politike të së majtës qeverisëse, por të gjithë spektrin politik dhe shoqëror të vendit, cili është roli e mbi të gjitha përgjegjësia e shefit të qeverisë, Rama?

    Në tri mandatet e deritanishme të tij kanë ndodhur mjaft ngjarje të rënda, që nga arrestimi i zotit Tahiri, ish-ministrit të brendshëm, disa ministra, të gjithë jo vetëm funksionarë, por edhe miq të tij të njohur, kryebashkiakë në disa qytete dhe në Tiranë, funksionarë të lartë, deputetë, dy zëvendës-kryeministra në hetim, disa figura të tjera të politikës në gjykim.

    Në të gjitha rastet shefi i qeverisë, ka mbajtur të njëjtin qëndrim: punët e mira janë vlerë e atij vetë, personalisht, ndërsa korrupsioni është çështje vetjake e atyre që vjedhin, përvetësojnë, shantazhojnë, pasurohen. Po ai vetë, që i ka zgjedhur, pa pyetur asnjë forum të forcës së tij politike, i ka promovuar, i ka besuar, i ka joshur me idenë e pushtetit, i ka kontrolluar, i ka besuar? Kaq naiv të jetë? Askush nuk e beson!

    E kam dëgjuar gjithnjë me vëmendje fjalën tepër të lakuar dhe mjeshtërisht të goditur të Edi Ramës. Është një ndër gjërat që ai di të bëjë më bukur, më zhdërvjelltë. Është mjeshtër i fjalës, sidomos i asaj të shkruar. Sa herë që ai mbaronte fjalën e tij,  i thoja vetes: Edi Rama i lau duart.

    Nuk e di nëse ju kujton gjë Pons Pilati, megjithëse Veliaj apo Ahmeti nuk janë kurrfarë profetësh, as Balluku nuk është figurë e shenjtë dhe nuk do të ketë asnjë lloj kryqëzimi. Veliaj, Balluku, Ahmeti, Beqja etj ishin dhe mbeten njerëz të pushtetit, funksionarë të lartë, të cilët, aq sa shijuan majën e pushtetit, aq edhe po jetojnë me ndjenjën e humnerës se ku mund të të hedhë ky pushtet.

    Hetimi i një ish-nëpunësi të lartë apo edhe vetë shefit të qeverisë është një praktikë e pranueshme, sidomos kur organet përkatëse kanë indiciet e duhura për të bërë diçka të tillë. Edhe hetimi ndaj Veliajt apo Ballukut nuk është as gjëmë, as hata, as qameti i një drejtësie që ka krijuar republikën e vet të hekurt, të pavarur, e shpesh herë arbitrare.

    Por një prokurori speciale që i trembet shefit të opozitës e nuk guxon të hapë çështjet përvëluese ndaj tij, si 21 janari apo Gërdeci, nuk quhet e reformuar. Ajo është e deformuar.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit