8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Vëllezër hipokritë, ç’do të bëjmë me 21 janarin?

    Nga Pëllumb Kulla

    Ka numra të mallkuar, numra fatprerë, numra ters.

    Njëri sish ësht numri 13… Në shumë ngrehina dhe hotele kati i trembëdhjetë nuk ekziston. Ai është aty, përmbi të dymbëdhjetin, por quhet i katërmbëdhjetë. Kjo gjë vihet re në shumë vende të botës.

    Në Shqipëri është një datë e zezë, një datë turpi, një datë hipokrizie… Është një datë që nuk duhet të zihet në gojë. Ajo ose duhet ngjyer e zezë nëpër kalendarë, ose duhet fshirë.

    Kjo datë është 21 janari.

    Shqiptarët pas njëzetës duhet të kalojnë më njëzetedy janar. Ngaqë në atë ditën në mes, katër vetë janë vrarë me duar në xhepa.

    Atë ditë një urdhër, ca ushtarë të armatosur, ca grykës pushtetesh, kanë vrarë katër njerëz që mbanin duart paqësisht në xhepa. Mjerisht disa dhjetra mijëra njerëz të këtij vendi kanë miratuar, dhe bile, kanë soditur me kënaqësi përpara ekranëve vrasjen e katër qënieve të urta dhe të pafajshme.

    21 janari shqiptar duhet të mbetet i urryer në jetë të jetëve!.

    Është i teti vit radhazi, që unë shkruaj për këtë ditë të zezë dhe dua të nënvizoj se asnjëri prej atyre të vrarëve nuk është farefisi im, por sejcili prej tyre më dhemb si të ishin vëllezërit e mij. E nuk do të më dhembnin po të qe se dikush nuk do të kish urdhëruar që ata të rronin jo më tej  se 21 janar 2011.

    Në këtë vend janë vrarë me mijëra e mijëra të pafajshëm, janë, zhdukur, mbytur e varur padrejtësisht, mijëra e mijëra njerëz të urtë, gojë-ëmbël dhe që nuk patën shtypur një mizë. Diktaturave dhe regjimeve gjakatare ua kemi vënë përsipër ato mëkate.

    Por të rënët e 21 janarit janë vrarë në një qiell që u duk i kthjelltë, në një kohë të deklaruar si demokraci, në një shtet të shpallur me ligje. Ata i vrau dhe po i mban të vrarë e të nëpërkëmbur një shoqëri  njerëzore, më hipokritja e tëra kohëve dhe e tërë shekujve.

    Asnjë nuk është dënuar për atë urdhër, për ata plumba, për ato dredhime, për ato premtime. Asnjë prijës i këtij vendi nuk ka kërkuar gjyq, asnjë gjykatës nuk është marrë me atë gjykim e në gjithë këta vjet, pēr atë faj madhor, nuk është dhënë një vendim gjyqësor! As edhe i padrejtë!

    Sot e kaqë vjet 21 janarin e presim, si të tëra ditët e motit, por nuk duhet të jetë kështu. Atë ditë ne duhet ta kalonim me sy përdhé.

    Turp, turp, turp! Turp e mallkim në jetë të jetëve!

    Politikanë, qeveritarë dhe vëllezër hipokritë, qofshim të mallkuar në jetë të jetëve!

    Botuar më 21 janar 2019

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit