20.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Vëre buzën në Gaz…

    Kur Gaz Demi zbarkonte rreth mesditës, i vetëm në Peperon dhe shijonte plazhin më të bukur në vend, në Drimadhes, duke rrufitur detoxin, një grup të rinjsh nuk ngurruan ta konsideronin “armikun e Tironës”.

    Gazi njeriu që qesh kushedi kur, vuri buzën në gaz. Sapo kish nxjerrë Partizanin kampion, gjë që nuk ndodhte prej 26 vitesh. Atë ditë në plazh, ai mendoi: Tani po jam Gazi Partizanit, deri tani isha Gaz Demi!

    Kush është njeriu që dikur i dha dikujt një shifër të madhe borxh dhe në këmbim mori stemën e një prej klubeve më të rëndësishëm në vend?! Kur ishte fëmijë dhe shiste më shtrenjtë se sa kish blerë paketat Partizani, e kish ndarë mendjen që do bëhej tregtar, por as nuk i kish shkuar ndër mend se një ditë do bëhej pronari i klubit që mbante pikërisht emrin e cigareve që nisi biznesin nëpër rrugët plot pluhur të Tiranës në fillimin e viteve 90.

    Më pas të gjithë e dimë çka ndodhur. Inteligjent, negociator i shkëlqyer, një dealmaker i paparë, një njeri që lindi e jetoi në Tiranë, në ajkën e kryeqytetit.

    Bëri miq dhe armiq, krijoi partneritetet e tij, biznese të shumë fushave dhe një emër, sigurisht një emër. Njerëzit në përgjithësi dhe njerëz si ai në veçanti jetojnë për emrin. Sot afro 60 vjeç, kthen kokë mbrapa dhe kujton jo pa mall se sa shumë iu desh që të gjithë të thonë: ai është Gaz Demi.

    10 vite më parë Partizani u rikthye në Superiore dhe Gazi u shfaq në tribunë për herë të parë. Ata që e njihnin, e dinin se ç’mund të bënte, por futbolli nuk është i thjeshtë.

    Pa zyra, pa fusha, pa stadium, pa asnjë lojtar, pa asgjë. Vetëm me historinë dhe tifozët. Të dyja të rëndësishme por e para nuk prodhon para, ndërsa të dytët në Shqipëri mezi mbajnë veten. Kush do i paguante faturat?

    Gazi nuk i sheh gjërat në mikro, ai kërkon të pamundurën. Njësoj si në blackjack, do të fitojë me 21 në dorë. Letrat e tjera nuk i interesojnë. Sot pas një dekade, përveçse ka bërë një skuadër, ka ndërtuar edhe një kompleks. Stadium madje.

    10 milionë euro investim, miliona të tjerë të hedhura rrugës, kënaqësi, hidhërim, fitore dhe humbje. Në fund të ditës Partizani vlen më shumë se kushdo. Është i vetmi klub në Shqipëri që ka në pronësi një aset të rëndësishëm. Tani u bë mal, mendoi tregtari që për herë të parë në një biznes është bërë edhe tifoz.

    Jashtë tribunës është pa asnjë diskutim presidenti më superior i këtij futbolli. I veshur me shije, një stil Tirane përzier me pak italianen brenda tij. Zë i rëndë, pamje gjysmë agresive, plot batutë pavarësisht se ndokush mendon që shakatë nuk bëjnë për të. Me uiski dhe puro, me net të gjata, me një jetë që e shijon në mes të bllokut.

    Të hyjë në dhoma zhveshjeje dhe të merret me lojtarët, nuk i shkon, të ndërhyjë të trajneri nuk e ka bërë kurrë, i drejtpërdrejtë në çdo raport dhe ndonjëherë emocional, por me frena. Mercedez, Range Rover… sushi. Për të gjëja më e rëndësishme është familja. Vajza e tij e vogël, Perla, është tifozja më e madhe. Emri i lokalit të tij në bllok ka emrin e saj.

    Pothuajse çdo mbrëmje pranë bar Uiskit në Bllok, i sheh njerëzit te lokali i Gerit, – shumica klientë që kanë të bëjnë me sportin – dhe jo pa krenari i thotë vetes: kush e ka bërë këtë që kam bërë unë?! Pastaj sheh gjithë miqtë e tij politikanë që vërtiten brenda ambienteve të tij dhe mendon: se mos u gënjen mendja se më kanë ndihmuar.

    Xhinse, t-shirt, xhakete, kasketë, syze dielli. Gaz ka ardhur momenti ta vësh buzën në Gaz. Partizani tani po, është një klub i vërtetë. (Super Sport)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit