5.4% e të punësuarve në vend marrin më shumë se 120 mijë lekë në muaj, sipas statistikave të INSTAT për vitin 2021.
Gjatë vitit të shkuar, 32,7% e kontribuuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare.
Më të paguarit rezultojnë menaxherët, ligjvënësit e nëpunësit e lartë të administratës shtetërore, ndërsa më të keqpaguarit mbeten të punësuarit në sektorin e bujqësisë.
Në vitin 2021, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 57.191 lekë. Krahasuar me vitin 2020, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 6,6%. Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si: Aktivitetet Financiare dhe të sigurimit, Informacioni dhe komunikacioni, Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale.
Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë: Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor; dhe Bujqësia, Silvikultura dhe Peshkimi. Hendeku gjinor në paga është 4,5%.
Hendeku gjinor në paga është më i theksuar mes punonjësve që janë të punësuar në ndërmarrjet që i përkasin grup-aktivitetit ekonomik “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”, ku arrin vlerën 29,4%. Për vitin 2021, paga minimale zyrtare është 30.000 lekë.
Më të paguarit
Në vitin 2021, grup-profesionet më të paguara janë: Manaxherët, Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë; Specialistët me arsim të lartë (profesionistë); dhe Teknikët dhe specialistët në zbatim. Ndërsa grup-profesionet me pagë nën nivelin mesatar janë: Punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit; punëtorët e profesioneve elementare; dhe zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to.
Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2021, numri i personave në forcën e punës është rreth 1.411.308 persona. Femrat përbëjnë 44,6 % të forcës së punës dhe meshkujt 55,4%. Të punësuar janë 1.248.749 persona, ku femrat përbëjnë 44,5% të të punësuarve dhe meshkujt 55,5 %.
Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 162.560 persona, ndër të cilët 45,5% janë femra dhe 54,5% janë meshkuj. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 69,3%. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,9 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,9%.
Shkalla e punësimit për femrat është 53,8% dhe për meshkujt 68,2%. Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 14,4 pikë përqindje në favor të meshkujve.
Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 44,3% dhe 33,8% të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2021, rezulton se 47,9% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 32,0% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,1% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Shkalla zyrtare e papunësisë në vitin 2021, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,5% dhe shënon një ulje me 0,2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2020. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,5 pikë përqindje më e ulët sesa për femrat. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 27,1% (25,5% për meshkujt dhe 29,2% për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve është rritur me 0,6 pikë përqindje.
Në vitin 2021, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 26,1 % të të rinjve gjithsej. Në grupin e të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 37,3 % klasifikohen si të papunë. Pjesa tjetër, janë jashtë tregut të punës për arsye se janë ose të dekurajuar (15,4 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (17,5 %), ose për arsye të tjera (29,8 %).
Qarqet
Një analizë mbi baza rajonale, tregon që në vitin 2021, qarqet me shkallë punësimi më të lartë janë: Gjirokastra (65,6 %) dhe Elbasani (62,2 %). Ndërsa qarqet me shkallë punësimi më të ulët janë qarku i Lezhës (36,6 %) dhe i Dibrës (42,7 %).
Qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë qarku i Lezhës (22,6 %) dhe i Vlorës (19,5 %), ndërsa qarqet me papunësi më të ulët janë Kukësi (4,0 %) dhe Gjirokastra (4,7%). Në vitin 2021, Tirana është qarku me numrin më të lartë të të punësuarve në sektorin e shërbimeve (68,7 %), Durrësi është qarku me numrin më të madh të punonjësve të angazhuar në sektorin e industrisë (39,4 %), ndërsa qarku me numrin më të lartë të të punësuarve në sektorin e bujqësisë është Kukësi (69,6 %)