5.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    VOA: Rrihet gazetari që investigoi Berishën dhe Metën

    Gazetari Adriatik Doçi, i njohur për shkrime investigative në Report Tv dhe Shqiptarja.com, u godit me grushta nga një person ende i paidentifikuar.

    Kështu bëri të ditur policia në njoftimin e ngjarjes, dke theksuar se hetuesit dhe forcat e rendit po kontrollojnë zonën, ndërsa hetuesit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.

    Gazetari Doçi ka deklaruar se beson që sulmi ndaj tij ka ndodhur për shkak të detyrës, kur një grup personash e kanë ndjekur dhe një prej tyre e ka goditur pas shpine me grushta dhe sende të forta në afërsi të banesës së tij.

    Personi që e sulmoi ishte rreth 25 vjeçar, sipas tij, me kapuç, pjesëtar i një grupi që e ndoqi dhe e goditi befasisht nga pas, ndaj nuk arriti të indentifikonte asnjë prej tyre.

    Ai është shprehur se sulmi mund të jetë nxitur nga segmente të krimit dhe korrupsionit. Zoti Doçi dëshmoi në polici se u sulmua befasisht nga pas dhe se nuk arriti të identifikonte autorët e sulmit.

    “Ky sulm burracakësh më shton kurajon për të raportuar dhe nuk më ndal në punë e as më largon nga Shqipëria”, është shprehur Doçi.

    Ai shtoi se më herët ka patur kërcënime verbale, për shkak të detyrës, por jo dhunë fizike, një akt që ndodhi sot kundër tij për herë të parë.

    Dy vjet më parë komisioni parlamentar për sigurinë zhvilloi një seancë dëgjimore me gazetarin investigativ Adriatik Doçi, i cili kishte publikuar disa shkrime që vinin në dyshim saktësinë ligjore të disa dekreteve për dhënien e shtetësisë shqiptare nga ish presidenti i Republikës Ilir Meta.

    Zoti Meta i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se të gjithë veprimet e tij në këtë fushë janë në përputhje me ligjin.

    Gazetari Adriatik Doçi u thirr nga deputetët e komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare pas shkrimeve të tij se presidenti Meta ka dhënë shtetësi shqiptare në shkelje të ligjit, disa personave të inkriminuar nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, një futbollisti afrikan brenda disa orësh, si dhe fshirjen e dekreteve nga faqet online të institucionit.

    Këto janë vetëm një pjesë e vogël mes dhjetëra shkrimeve denoncuese të tij për ngjarje të dyshuara korrupsioni dhe afera për shkelje ligjore nga qeveria Berisha, mes të cilave investigimi mbi ish kompleksin sportiv Partizani, si dhe afera korruptive nga gjyqtarë dhe prokurorë./VOA

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit