19.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Prill, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Vrasja shokuese e 14-vjeçarit dhe viti fatkob i historisë sonë

    Nga Bedri Islami

    Që prej dy ditëve prindërve u mungon djali i tyre. Në shkollën “ Fan Noli” në Tiranë, një ndër shollat më të mira të vendit, ka një nxënës më pak.

    Ndodhi në Tiranë vrasja e një nxënësi 14 vjeçar, ashtu si mund të kishte ndodhur në çdo cep të këtij vendi të marrosur. Në Shkodër, në Lezhë, në Vlorë, në Sarandë. Askush nuk është i përjashtuar, asnjë qytet, asnjë shkollë, asnjë rrugicë, asnjë qoshe.

    Fantazma e së keqes është e varur mbi krimin që mund të ndodhë. Rubrikat e lajmeve mezi presin. Analistët, po ashtu. Jemi në vendet e pakta të botës ku kronikat e lajmeve hapen me vrasje, dhunime, krime.

    Të gjithë pyesim se si ndodhi kështu? Çfarë ishte ajo krisje e madhe mes dy adoleshentëve, që bëri një gjëmë të tillë? Është e vështirë të perceptohet se si një djalë i ri, në mos sot, nesër ai do të ketë emrin e vërtetë, atë të vrasësit, kaq gjakftohtësish, vret me thikë moshatarin e tij, me të cilin edhe mund të kenë luajtur, të kenë qeshur, të jenë zënë për diçka të zakonshme e shpejt të jenë përsëri bashkë?

    Tani, e gjithë kjo, është temë e mediave, bisedave, debateve pafund, që nga rruginat e një lagje deri në sallën e parlamentit, ku deputetë tru tharë kërkojnë të bëjnë politikën e madhe me gjakun e derdhur, si ka ndodhur jo vetëm tani, por në të gjitha rastet, pavarësisht se kush ka qeverisur e kush ka qenë në opozitë.

    Vrasja si motiv politik është gjëja më e  zakonshme, edhe pse vetë dhuna, krimi , prej viteve, ka qenë diçka e njohur, e herë pas here, e zakonshme.

    Krimi e ka një vit fatkob për kombin. Vitin 1997. Nuk ka në historinë e shekullit të shkuar një vit tjetër, kaq të kobshëm, se sa ai. Është më i tmerrshmi që ka ndodhur, më i dhunshmi, që bëri vendin e tij në jetën tonë të përditshme.

    Viti 1997 nxori në rrugë kriminelët, banditët e rrugës dhe banditët e qeverisë. Nxori në rrugë dhunën. Armën. Krimin. Krijoi fenomenin e njeriut me armë, që qëllon ku i teket. Zhbëri jetën dhe lartësoi vdekjen.  Është viti kur arma u bë zgjatim i duarve të qytetarit, pavarësisht moshës, kur mendja u braktis dhe mori përparësi të jashtëzakonshme dhuna; kur forca mundi idenë, vizionin, perspektivën.

    Në vitin 1997 dhuna mori qytetarinë. Mori të drejtën për të sunduar. Për të vrarë. Për të gjykuar. Për të zhdukur. Për të qenë meritë e atij që dëshmohet se është i fortë. Për humbjen e qytetarisë. Për krijimin e një modeli tjetër të njeriut : atij që është i shquar, nëse dëshmohet se është i dhunshëm.

    Në të gjitha qytetet, vëreni me kujdes, pjesëtarët e bandave janë njohur nga të gjithë, por askush nuk ka bëzajtur. Pas vitit 1997 ndodhi gjëma, që nuk po ndalet. Nëse shumë vite më parë, krimi ishte i pazakontë, tani po bëhet i zakonshëm. Dhe nuk çudit më askënd. 

    Pas vitit 1997 të gjithë bëjnë politikë me vdekjen. Sepse ishte viti i vdekjes. Të shtetit. Të shoqërisë, Të mendimit. Të qytetarisë.

    Tani, edhe pse e njohur, sesi ndodhi viti 1997 dhe kush ishte në qendrën e krijimit të tij, kjo nuk është më e rëndësishme.

    Pa u bërë ende një ditë natë nga vrasja e 14 vjeçarit, po në Tiranë, ndodhi vrasja e një djali tjetër të ri. Në njërën nga rrugët e njohura të kryeqytetit. Me gjak të ftohtë. Djali i një figure të sistemit të drejtësisë. Që kishte gjykuar dhe dënuar grupe të rëndësishme të bandave kriminale.

    Në një ditë të ardhshme mund të kemi përsëri një ngjarje tjetër të rëndë. Është e pa besuar, thellësisht e pa besuar, se si, turpërisht, nderimi që i bëhet një vrasësi, pjesëtari të një bande, quhet normale.

     Viti 1997 nxori të keqen nga fundi i një bote që mendohej se kurrë nuk do të ishte e pranishme në Shqipëri.

    Ecni në rrugët e Tiranës dhe dëgjoni se si flasin sot të rinjtë. Është e turpshme t’ i dëgjosh. Fjalor dhune. Gjaku. Turpi. Krimi. Para ardhje e një vrasje të ardhshme. “Të fortët” nderohen, të mençurit nuk njihen nga askush. Qindra orë televizive i kushtohen dhunës, krimit, vrasjeve. Asnjë orë mendjes dhe vizionit.

    Këto të rinj jetojnë mes nesh. Dëgjojnë dhe admirojnë të dhunshmit. Mallkojnë prindërit e tyre që nuk janë mafiozë. Që nuk u bënë të pasur, pavarësisht rrugës që mund të ndiqnin.

    Të ndershmit i thuhet i çmendur; të diturit i thuhet budalla, të urtët mënjanohen, e bukura nuk ka vend  të jetë e pranishme. Nuk është lajm se kemi qindra të rinj të talentuar, që kanë bërë emër në të gjithë botën. Lajm është kush vrau dhe si , kush është bandit dhe cila ishte pasuria e tij, cila është eskorta e të fortëve, makinat që përdorin, udhëtimet që bëjnë.

    Sado që mund të duket e habitshme, viti 1997 është në thelbin e krimit dhe të dhunës që ndodh sot. Nëse nuk zhbëhet ai vit, mos u çudisni për vrasjet e tjera.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit