16.5 C
Tirana
E premte, 20 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    ‘Vreshti më i vogël në botë’ po shet verë €5,000 për shishe, por nuk duhet ta pini

    Ai bën disa nga verërat më ekskluzive në botë, por nuk dëshiron që ju t’i pini.

    Tullio Masoni, një sipërmarrës, koleksionist arti dhe ish-bankier investimesh, krijoi atë që ai e përshkruan si vreshti më i vogël në botë në majë të një pallati të shekullit të 16-të në zemër të Reggio Emilia, zonë që i ka dhënë Italisë disa nga eksportet e saj më të njohura në botë, duke përfshirë makinat Ferrari dhe Lamborghini, produktet kryesore të kuzhinës si lazanja, tortelini, Prosciutto di Parma dhe Ragù alla Bolognese.

    Ai e rrit rrushin në çatinë e Via Mari 10 –  adresa e ndërtesës dhe emri i vetë verës – një vend i njohur sepse në vitin 1859 u vizitua nga Giuseppe Garibaldi, revolucionari që ndihmoi në bashkimin e Italisë. Në pak më shumë se 200 metra katrorë, Via Mari 10 prodhon vetëm 29 shishe verë të kuqe në vit, të cilat Masoni i vlerëson me 5,000 euro.

    “Vera ime është një formë e shprehjes artistike, një provokim filozofik, diçka për t’u mbajtur në dhomën tuaj të ndenjes në mënyrë që të bisedoni për të me miqtë tuaj dhe t’u tregoni atyre për të çmendurin që vendosi një vresht në çati,” tha ai për CNN. “Vreshti im është i tillë: është i papritur; stimulon trurin; ndez mendime të reja.”

    Lidhja midis verës dhe artit fillon me frutin, sepse hardhitë rriten në kafaz që në fakt janë vepra arti të bëra nga një skulptor vendas, Oscar Accorsi. “Rrushi im përballet me artin sapo çel”, tha Masoni. Vera vendoset në fuçi lisi, të cilat janë gjithashtu skulptura nga një artist tjetër vendas, Lorenzo Menozzi, dhe kanë për qëllim të përfaqësojnë një burrë dhe një grua.

    “Unë jam i vetmi prodhues i verës në botë që thotë se nuk duhet të pini verën e tij,” shtoi ai.

    Hardhitë, të cilat janë Sangiovese, “ushqehen” me vezë, banane, alga deti, sipas Masoni-t, por ai thotë se “dieta” e tyre përfshin gjithashtu zërat që vijnë nga lagjja – grindjet, mallkimet dhe dialektet e ndryshme, duke i dhënë një avantazh ndaj rrushit të fshatit, i cili rritet vetëm në heshtje.

    Çfarë shije ka? “Në gllënjkën e parë do të hutoheni, por pas disa sekondash diçka vjen e gjallë në qiellzën tuaj që ju hap mendjen për një dimension tjetër,” tha ai për CNN.

    Sigurisht, na duhet ta pranojmë këtë që thotë; ai kërkon që të mos e provojmë dhe ne e respektojmë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit