Nga Auron Tare
Pa mbërritur në oborrin e Gjimnazit “Asim Zeneli” në rrugicën kryesore që futesh në Palorto, pashë nja 8 të rinj që ishin kthyer me faqe nga muret e shtëpive dhe bënin shurrën. Ata pak kalimtare që shkonin kalldrëmeve e mbanin kokën drejt sikur donin të mos shihnin se ç’bëhej para syve të tyre. I indinjuar ndalova dhe pashë se ishin të rinj të huaj që qeshnin me njëri-tjetrin.
Ndjesë, ju thashë, çfarë po bëni? Ka gra që kalojnë rrugës, është turp.
Me një anglishte me theks frëng po mundoheshin të shpjegoheshin se kishin nja 10 minuta që vinin vërdallë dhe nuk po dinin ku të shkonin.
Po pse këtu në mes të lagjes e bëni i pyeta? Nuk keni respekt për kulturën e vendit – vazhdova unë duke sjellë në mend se qyteti Flamand prej nga ata vinin, Bruzhit, ishte një qytet Muze si Gjirokastra.
Ndjesë, ndjesë po thonin belgët e rinj duke ngritur duart përpjetë sikur ishin dorëzuar.
“But where to piss in Gjirokastra Sir” m’u drejtua njëri prej tyre.
Në fakt i inatosur nga skena teksa zbrisja kalldrëmit po vrisja mendjen. Nuk më kishte zënë halli asnjë herë kalldrëmeve të Gjirokastrës dhe kur mendova se ç’kishin hequr të zinjtë belgë më ra inati. Duke ecur nëpër Pazar zbrita Sheshit të Çerçizit dhe nja dy miqve që i takova në shesh i pyeta.
Ore ku shkoni ju për të pshurrur, se më pyetën disa belgë?
Në shtëpi, më thane, ku të vemi, këtu nuk ka asnjë banjë hapur. Po si ka mundësi i pyeta. Këtu u bë edhe gjithë ky shesh? Ore sheshi u bë, më thane, po kush mendoi për banjë. Shyqyr që nuk harruan Çerçizin.