Një konflikt i hershëm për pronën mes Gjon Shakmbit dhe 30 familjeve në Shkodër, ka çuar në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit nga i riu Elvis Shkambi, pasi xhaxhai i këtij të fundit, Gjoni, humbi gjyqin.
Por një vit më parë, një përplasje mes Gjon Shkambit në emisionin “Shihemi në Gjyq” që drejtohej nga Eni Çobani me një prej familjeve që jetonte në atë godinë, duket se ishte paralajmëruese për ngjarjen e ndodhur dje.
Gjon Shkambi në përballje me z. Hilë, pretendonte se ishte pronar i ligjshëm i një objekti të njohur si ish-Shkolla e Rezervave në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër.
Nga ana tjetër, z. Hilë, i kërkonte Gjon Shkambit paratë të cilat ja kishte dhënë për një nga apartamentet në godinën e përmendur më herët.
Gjon Shkambi i cili pretendon se është në “luftë” me 30 familje, thoshte se e ka blerë pronën në fjalë por nuk ia lirojnë ndërsa theksonte se e kërcënojnë çdo ditë familjarisht.
Situata edhe në studio mes palëve agravoi, teksa Gjon Shkambi kërkoi që të lirohet godina pasi është e tij.
Nëse nuk e lirojnë godinën, ai thoshte se do t’i hedhte në erë të gjithë. Ai paralajmëronte se do ta minonte godinën në të gjitha anët për të marrë pronën dhe se të gjithë do të japin llogari.
“Do i marrësh paret do i marrësh. Do ta liroj vetë godinën unë. Nëse nuk ndërhyn policia, e gjej unë formën si e liroj. Do ta minoj në katër qoshet. Nuk do ju njoftoj fare.
Të gjithëve në erë do ju hedh. Po ju paralajmëroj, të gjithëve. Le të marrë masa policia e kushdo. Kam paguar paratë për pronën. A mi jep shteti mua këto para? Më kanë kanosur e më kanë kanosur dhe fëmijët. Këta do japin llogari të gjithë”-deklaronte Gjon Shkambi në TV Klan.