Ylli Manjani deklaroi se ka marrë vesh se përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike janë duke zhvilluar negociata për ndryshime në Kushtetutë. Sipas tij, bëhet fjalë konkretisht për Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashin ndërsa ngriti shqetësimin për mungesën e transparencës në një çështje kaq të rëndësishme.
Manjani u shpreh se një proces i tillë nuk mund të zhvillohet në mënyrë të fshehtë.
“Mora vesh për një debat, në një portal, që Oerd Bylykbashi me Damian Gjiknurin po negociojnë për të ndryshuar Kushtetutën e vendit, por nuk mund të jetë kjo thjesht pjesë e një negociate të fshehtë sepse po preket ligji i shtetit”, tha ai.
Ai theksoi se çdo diskutim për Kushtetutën kërkon përfshirje më të gjerë ndërsa kritikoi mungesën e një debati serioz
“Në qoftë se kjo temë hapet, unë kam edhe nja shtatë tema të tjera për të kontribuar, sepse po prekim Kushtetutën e vendit dhe patjetër që kërkon vëmendje publike”, tha Manjani.



