Pasi u raportua se është arrestuar gjatë ditës së djeshme (11 mars 2026) nën akuzën për armëmbajtje pa leje, burime për median kanë zbuluar edhe rrethanat që çuan në ndalimin e Besart Kelmendit, i njohur për publikun si Gjesti.
Sipas burimeve për Prive by Liberta Spahiu, ngjarja ka ndodhur pasi këngëtari ka shkuar në zyrat e kompanisë muzikore Onima, me të cilën ka pasur më herët bashkëpunim për shpërndarjen e të drejtave digjitale të projekteve të tij. Raportohet se gjatë takimit ka pasur një debat me drejtuesin e kompanisë, Erkand Shabani, ndërsa situata është tensionuar.
Burimet bëjnë me dije se gjatë konfliktit dyshohet se është dëmtuar një kompjuter në ambientet e kompanisë, çka ka bërë që drejtuesit e saj të njoftojnë policinë për kanosje dhe dëmtim të pronës.
Pas ndërhyrjes së policisë, artisti është ndaluar dhe ndaj tij janë ngritur dyshime për tri vepra penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këngëtarit. Sipas zëdhënëses së gjykatës, Mirlinda Gashi, seanca dëgjimore për shqyrtimin e kësaj kërkese pritet të mbahet nesër (13 mars 2026) në orën 09:30.
Aktualisht, Gjesti ndodhet nën masën e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë ende në vijim.
Përplasja mes Gjestit dhe kompanisë Onima, e drejtuar nga Erkand Shabani, nuk është e re. Tensionet mes palëve u bënë publike gjatë verës së vitit 2025, kur artisti njoftoi se po bënte një pauzë nga publikimi i projekteve të reja muzikore.
Në atë kohë, Gjesti deklaroi në rrjetet sociale se ishte detyruar të ndalonte publikimin e këngëve për shkak të “padrejtësive” dhe konflikteve me distributorin e tij të mëparshëm, duke theksuar se nuk do të publikonte asnjë projekt derisa çështja të zgjidhej. Ai pretendonte se mosmarrëveshja lidhej me të drejtat dhe shpërndarjen e muzikës së tij.

Nga ana tjetër, drejtuesi i Onima-s, Erkand Shabani, reagoi publikisht duke mohuar akuzat dhe duke deklaruar se mosmarrëveshja kishte të bënte me kërkesën e artistit për t’u shkëputur nga kontrata ekzistuese e distribuimit dhe monetizimit të përmbajtjeve të tij artistike. Sipas tij, marrëveshja ishte nënshkruar me vullnet të plotë dhe çdo pretendim duhej të trajtohej përmes rrugëve ligjore.




