Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Borrell ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.
Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
“Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.
Nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për targat është theksuar edhe në një takim të zhvilluar të martën ndërmjet Kurtit dhe ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guerot dhe Jorn Rohde, ka thënë Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate.
Takimi në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me çështjen e targave.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.
Pas kësaj, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani sulmuan ashpër Borrell, edhe pse dje, kanë nënshkruar pothuajse të njëjtën marrëveshje të propozuar dy ditë më parë.
Rol të madh ka luajtur SHBA, që ushtroi presion tek Albin Kurti të tërhiqej nga kundërshtitë e tij.