Deputetja e re e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar pasi Gazment Bardhi e përmendi në seancën plenare të Kuvendit.
Çaushi publikoi një videomesazh ku ironizon kreun e grupit parlamentar të PD-së.
“O Gazo, o heroi i PD-së! Tu dogj xhani për mua o yll?”, thotë ajo mes ironisë, duke shtuar se në këtë vapë të qershorit Bardhi “po kërkon pak vëmendje” – të cilën ajo thotë se ia jep me dëshirë.
Në videon e postuar në Instagram, Çaushi i përmend Bardhit edhe situatën pas rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit në Fier, duke i kujtuar “trishtimin” që, sipas saj, i ka shkaktuar marrëdhënieve të Bardhit me Berishën.
“Baba Bufi jeton vetëm për të të parë ty rrugëve, duke u hequr zvarrë o lumëmadh,” shton ajo në një pasazh që ka ndezur rrjetet.
Në fund, Çaushi lëshon edhe një “paralajmërim” thumbues për shtatorin:
“Do jemi bashkë për 4 vjet. Po të la Baba Bufi, se ndoshta të kërkon dorëheqjen që t’ia lësh vendin Gentit.”