Gazment Bardhi ka reaguar më në fund, pas humbjes dërrmuese në Qarkun e Fierit, ku ai ishte drejtues politik i Partisë Demokratike.
Bardhi shkruan se është zemërthyer për këtë humbje, por thotë se nuk kishte se çfarë të bënte më shumë, pasi përballë kishte shtetin.
“Një falenderim zemre
Me zemër të thyer se zgjedhjet e 11 Majit nuk ia dolën të shprehin vullnetin real të qytetarëve, dua të falenderoj me përulësi të gjithë ata demokratë dhe mbështetës të opozitës që i besuan votën Partisë Demokratike! Në qarkun e Fierit, ne ishim njerëzit e lirë përballë një bande ministrash dhe drejtorësh të korruptuar, që përdorën shtetin dhe krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin!
Ju falenderoj me zemër për qendresën dhe besimin! Një falenderim të veçantë për strukturat e Partisë Demokratike, komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit e palodhur!
Ne do të qendrojmë së bashku të panënshtruar sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz të lire”, shkruan Bardhi.
Kujtojmë se Partia Demokratike me 39.314 vota (25.45%), arrin të marrë vetëm 4 deputetë në qarkun e Fierit, përballë 12 të tillëve për Partinë Socialiste.
Ky qark nga demokratët do të çojë në Kuvendin e ri Gazment Bardhin, Luan Baçin, Eduart Sharkën dhe Brunilda Haxhian, e cila vjen nga radhët e aleatëve të tyre të Partisë së Lirisë. Nga lista e mbyllur e PD mandatin e ka humbur Saimir Korreshi, i cili renditej i pesti.