Gazetarja e njohur Rezarta Reçi ishte e ftuar në programin “Dola te Ola” këtë të diel, ku ndër të tjera foli për përballjen e saj me sëmundjen e rëndë nga e cila vuan. Ajo zbuloi se lajmin e përjetuan më keq familjarët e saj dhe të afërmit pasi ajo vetë e kishte kuptuar që kur i ishte shfaqur sëmundja, por kishte zgjedhur të heshtte dhe të mos kurohej duke e lënë jetën në duart e sëmundjes.
“Nuk doja të jetoja, nuk e konceptoja dot vetëm të sëmur, me kimio dhe në shtrat”. Ajo rrëfeu se ka qenë pikërisht bashkëshorti i saj ai që e ka bindur që ajo të ndryshonte vendim, “Mbaja derën hapur vajzës dhe mbesave, po ike ti do të iki dhe unë me ty”.
Rezarta Reçi tregoi se nuk e mendonte dot veten të mos ngrihej nga krevati dhe ndau në program një nga bisedat e saj me doktorin, i cili i kishte thënë, “Jo vetëm do të ngrihesh nga krevati, por edhe do të kthehesh në radio”, gjë që ajo zbuloi se kishte ndodhur në tetor të këtij viti, “Jam rikthyer në radio, është një dashuri”.
Gjatë kësaj periudhe të vështirë gazetarja ka shkuar dy romane, “Kolonë Zanore” dhe “Zhbërja”. Ajo tha se me anë të librit ajo donte të shpaloste atë pjesë që po kalonte duke dëshmuar gjendjen e saj të brendshme dhe jo për të rënduar të tjerët.
Rezarta Reçi mori gjatë programit një videomesazh emocionues nga mbesa e saj e cila i uronte gjyshes shërim sa më të shpejtë dhe i kërkonte që të mësonin biçikletën së bashku.