Avokati Kujtim Cakrani, ka shkaktuar polemika lidhur me ngjarjen e 21 Janarit, duke sulmuar drejtpërdrejt liderin e asaj kohe të opozitës Edi Rama si dhe njërin prej viktimave të asaj proteste.
I ftuar në televizionin A2, Cakrani deklaroi se Ziver Veizi, një nga katër protestuesit e vrarë, kishte precedentë penalë në Greqi dhe se ishte sjellë në Shqipëri për të nxitur trazira.
Sipas tij, Veizi kishte vite që nuk jetonte në Shqipëri, pasi ishte dënuar nga drejtësia shqiptare.
Cakrani pretendoi se ai ishte dënuar për vjedhje dhe se vendimi ishte dhënë nga gjyqtari Gramoz Levanai gjatë kohës kur ushtronte detyrën në Gjirokastër.
“Ishte një kryengritje e armatosur për të rrëzuar rendin Kushtetues, donin një 97 të dytë. Ziver Veizi, i ndjerë tashmë, kishte 20 vite që nuk vinte në Shqipëri, sepse ishte dënuar me vendim të formës së prerëse i vidhte grave unazat. Pyseni gjykatësin Gramoz Levanai, që e ka dënuar kur ishte gjyqtar në Gjirokastër.
Nuk vinte, erdhi apostafat nga Greqia vetëm për protestën. Unë mbaj përgjegjësi për ato që them. Ky ishte kontigjenti që ishte në atë protestë. Kaq është e gjithë historia, duhet hetuar që nga fillimi. Ishte krim shtetëror se opozita ishte shtet, mos abuzoni me vendimin e gjykatës europiane”, deklaroi Cakrani, duke shtuar se sipas tij bëhej fjalë për “krim shtetëror”, pasi opozita e asaj kohe ishte pjesë e pushtetit.
Avokati hodhi gjithashtu dyshime mbi autorësinë e vrasjeve, duke thënë se nuk është e qartë nëse viktimat u vranë nga Garda e Republikës apo nga ajo që ai e quajti “partia që donte heronj.
“PS është parti që do heronj, i nxori në pritë Edi Rama dhe Taulant Balla”, tha Cakrani duke bërë thirrje që për këtë çështje të bëhet drejtësi.
Cakrani bëri të ditur gjithashtu se Ilir Meta ka dëshmuar për rreth një orë në SPAK, ku ka dhënë versionin e tij për ngjarjet e 21 Janarit.
“Ilir Meta ka dhënë dëshminë më të saktë për 21 Janarin, sepse ajo ngjarje u bë për të. Ai ka qenë në heshtje gjithë këto kohë. Ai është pyetur në SPAK para 1 muaji dhe ka dhënë versionin e tij. Shërbimet kanë qenë të gjitha për kryengritje dhe që do kishte viktima. Shërbimet amerikane e kanë njoftuar Ilir Metën.
Ai ka bërë një letër të detajuar para ngjarjes se çfarë pritej të ndodhte”, tha Cakrani në “Off The Record” ku e cilësoi si të montuar edhe videon e famshme të publikuar nga Dritan Prifti, duke deklaruar se ajo ishte pjesë e një skenari politik që sipas tij çoi në ngjarjet tragjike të 21 Janarit.



