Britanikja “Daily Mail” raporton historinë e ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, arrestimi i të cilit trazoi edhe Tiranën. Ai është zbuluar nga dashnorja e zemëruar, e cila nuk e dinte se ishte i martuar.
“Charles McGonigal, ish-agjenci special në krye të Divizionit të Kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, dyshohet se u denoncua në byro nga ish-dashnorja e tij, Allison Guerriero, pasi i dha fund lidhjes mes tyre dhe deklaroi se nuk do e linte gruan e tij për të.
Gjatë kohës që ishte me McGonigal, Guerriero tregon se zbuloi një çantë me para në apartamentin e tij në Park Slope në tetor të vitit 2017. Kur ajo e pyeti për këtë, ai pretendoi se i kishte fituar paratë përmes bixhozit në një lojë bejsbolli.
Guerriero pretendon se lidhja e tyre zgjati më shumë se një vit dhe se ai shpenzonte shuma të mëdha parash për të dhe bënin seks në automjetet në pronësi të FBI”, shkruan gazeta.
“Guerriero pretendon se McGonigal bënte shpenzime luksi për të- shumë më tepër nga sa do ia lejonte zakonisht paga e tij e FBI-së.
Ai i jepte asaj dhurata prej 500 ose 1000 dollarë për ditëlindje dhe për Krishtlindje- dhe madje njëherë i dhuroi 100 dollarë një të pastrehu në rrugë.
Ajo vendosi t’i vinte kapak lidhjes së tyre vetëm pasi zbuloi se ai ishte i martuar me dy fëmijë adoleshentë dhe donte të mbetej i tillë, duke qëndruar me gruan, të cilës i referohej si ish-gruaja.
Pasi kishte pirë dhe në gjendje xhelozie, Guerriero i dërgoi një email direkt shefit të McGonigal, William Sweeney, i cili ishte në krye të FBI-së në Nju Jork.
Aty ajo zbuloi detaje të lidhjes dhe marrëdhënieve të ngushta që kishte vënë re se McGonigal kishte me kontaktet e tij në Shqipëri.
McGonigal ishte miqësuar me kryeministrin e Shqipërisë dhe kishte shkuar disa herë në këtë vend,” thekson gazeta.
Xhelozia e saj disa herë kaloi edhe në tepri, pasi njëherë përfundoi në burg sepse kishte ngacmuar gruan e McGonigal, Pamelën dhe fëmijët e saj.
Ndaj saj u vendos një urdhër-ndalimi sepse kishte dërguar disa emaile të ndyra dhe se i kishte telefonuar të paktën 20 herë gruas dhe fëmijëve të tij brenda një dite.