Kombinati, një prej lagjeve më të mëdha në Tiranë, prej vitesh është në një lëngim të vertetë. Varfërisë ekstreme të kësaj zone, vetëm pesë kilometra larg qendrës së kryeqytetit, iu shtuan edhe pasojat e rënda të tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
Dhjetra pallate e shtëpi më të ulta u dëmtuan keqaz nga lëkundjet sizmike dhe një pjesë e tyre u përfshinë në planin e demolimit të detyruar nga Bashkia dhe Inspektorati Ndërtimor
Tashmë, gati 6 vjet pas asaj ngjarjeje të rëndë, Kombinati është një rrënojë e madhe. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari (tashmë i arrestuar) i Bashkisë, Erion Veliaj, premtuan që në ditët e para pas tërmetit se lagja do të rindërtohej e re, me kushte perëndimore, brenda një kohë shumë të shkurtër.
Megjithatë, për të kujtuar banorët e kësaj zone se ata janë në zemër të Ramës, kryeministri ka dërguar për ekspeditë ekzotike në këtë zonë deputeten e sapozgjedhur, Iris Luarasi.
“Bashkë me drejtuesen e Njësisë Administrative nr. 6, patëm kënaqësinë të jemi pranë banorëve të bllokut 4 në Kombinat, për të dëgjuar, për të kuptuar, dhe mbi të gjitha, për të vepruar! Zëri i qytetarëve është busulla jonë, dhe energjia pozitive që na transmetuan, na motivon edhe më shumë për të çuar përpara zgjidhje konkrete që përmirësojnë jetën e përditshme”, shkruan një tekst zysh Irisi në rrjetet sociale.
Postimi i “zysh Irisit” është shoqëruar edhe me disa foto, ku bien në sy pamje nga një “treg Gabi” pranë ish-qytetit të nxënësve, si edhe të mbeturinave të pambledhura në zonë.