Patjetër, të gjithë e dimë batutën e famshme që lidhet me moshën e këngëtares Greta Koçi, e cila mbetet gjithmonë 16 vjeç. Por, pak e dinë se si lindi e gjitha kjo.
E ftuar në emisionin “Natën me Aulonën”, këngëtarja tregoi historinë që fshihet pas kësaj shprehje që ende e përndjek. Ajo tregoi se në hapat e parë të karrierës, së bashku me të ëmën, vendosën që të thonin se Greta ishte më e madhe në moshë, pa e ditur se kjo do të kthehej në një ‘meme’.
“Ka një histori kjo. Në këngën time të parë me Erion Korinin, “Kush ka faj”, unë kam qenë vetëm 13 vjeç e gjysmë. Mami im dhe unë, të dyja bashkë, vendosëm që unë të mos thoja se jam 13 vjeç e gjysmë, gjithmonë duke mos e ditur se ajo këngë do të ishte ndryshimi i jetës sime për 24 orë.
Ndaj, thamë: ‘Kush të na pyesë nëpër intervista, do themi se jam 15 vjeç se është turp, aq e vogël me këngë dashurie.”
Ashtu e lamë dhe do ti që ne thamë 15 vjeç, ato bënin llogaritë me 15, ndërsa unë brenda 2 viteve i kisha futur marshin e pestë dhe nuk ndaloja.
Kur më pyesnin thoja që jam 16 vjeç pastaj, sepse aq shkova unë, ndaj nuk u rrit mosha,” tregoi ajo.
Nga ana tjetër, këngëtarja rrëfeu se ndër vite ka marrë shumë dashuri nga publiku.
Greta Koçi është bërë së fundmi nënë e një djali, ndërsa prej disa vitesh, së bashku me partnerin e saj, jetojnë në Amsterdam.