5.5 C
Tirana
E premte, 9 Janar, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    500 mijë euro në shtëpi/ Ish-shefja e Kabinetit të Ahmetajt, Alda Klosi mbyll shpejt e shpejt dënimin, e punësojnë në një kompani të madhe dhe shijon jetën përmes kontakteve “intesive” me biznesin

    Një nga problematikat më të debatuara të drejtësisë së re, e evidentuar vazhdimisht nga media dhe ekspertë të fushës, lidhet me mënyrën se si po trajtohen zyrtarët e lartë të kapur në raste vjedhjeje dhe abuzimi me fondet publike. Kritika kryesore është se dënimet me burg mbeten të ulëta, shpesh një ose dy vite, ndërsa pas vuajtjes së dënimit, këta individë vijojnë të përfitojnë nga pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme.

    Ky realitet ka ushqyer bindjen se ndëshkimi penal, i ndarë nga konfiskimi i pasurisë, nuk përbën drejtësi të plotë, por më tepër një formë “makijazhi” që krijon iluzionin e ndëshkimit, pa prekur thelbin e problemit. Në këtë kontekst, shpesh është ngritur thirrja që organet e drejtësisë të mos mjaftohen vetëm me dënime me burg, por të shkojnë deri në fund me sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, në mënyrë që krimi të mos mbetet i leverdishëm.

    Si shembull i kësaj problematike përmendet rasti i ish-shefes së kabinetit të ish-ministrit të Financave, Alda Klosi. Asaj iu zbuluan rreth 500 mijë euro në banesë, një fakt që doli në dritë rastësisht pas një vjedhjeje të kryer nga pastruesja në ambientet e saj.

    Rasti shkaktoi reagim të fortë publik dhe u shoqërua me një arrestim të bujshëm.

    Megjithatë, dënimi përfundimtar ishte 1 vit e 8 muaj burg, i cili përfundoi në maj të këtij viti. Pas lirimit, ajo ka vijuar jetën duke gëzuar një pjesë të pasurisë, ndërsa redaksia mëson se është punësuar në një pozicion të rëndësishëm në një prej kompanive më të mëdha në vend dhe vijon të ketë kontakte “intensive” me bizneset, në “emër të ish-shefit të saj”.

    Këto raste kanë forcuar bindjen se drejtësia nuk duhet të jetë e pjesshme apo selektive. Ndëshkimi penal pa konfiskim pasurie lë hapësirë që abuzimi të përsëritet dhe minon besimin e publikut te sistemi.

    Për këtë arsye, kërkesa që drejtësia të veprojë “siç duhet” dhe jo thjesht të duket e tillë, mbetet një nga testet më të forta për reformën në drejtësi dhe institucionet që e zbatojnë atë. /gazetajone

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit