Arben Ahmetaj, ish-zv.kryeministër në arrati duket se ka zgjuar ish-ministrat e qeverisë Nano për të komentuar mbi atë që ai vetë e konsideroi si kontribut reformator në fillimet e qeverisjes socialiste.
Pas përgjigjes së Arben Malajt, ish-ministër i financave në 1997-2005, që e ka pasur Ahmetajn shef Kabineti, ka reaguar një tjetër ish-ministre e kabinetit Nano, Ermelinda Meksi.
Zonja Meksi, i kujton ish-kolegut Malaj, se Arben Ahmetaj shkonte nëpër zyrat e ministrave dhe u fliste atyre në emër të Malajt dhe kryeministrit Fatos Nano atë kohë.
“Por po aq e vërtetë është se kur Ahmetaj fliste dhe vepronte në emrin tënd e bile dhe te Nanos, pa kufij të qartë politikë dhe institucionalë, u ndërtua një perceptim i gabuar që më pas prodhoi edhe ndonje konflikt institucional mes nesh si kolege ministra”, shkruan Ermelinda Meksi duke u kthyer pas në kohë në vitet e para të qeverisjes socialiste pas ‘97.
“Në atë periudhë, ai u përkëdhel dhe u lejua të projektohej përtej rolit të tij real, ku i mungoi vendosja e kufirit të domosdoshëm. Sot është e drejtë të flitet për deformimin e fakteve, por duhet pranuar se tolerimi i asaj kohe kontribuoi në krijimin e këtij deformimi”, shkruan Ermelinda Meksi.
Por duket se pjesa e theksuar nga Meksi për “vendosjen e kufirit”, ka shkaktuar sërish reagimin e ish-ministrit Malaj.
“Mirëmëngjesi Ermelinda, ju falënderoj për reagimin tuaj. As z. Ahmetaj dhe asnjë prej pjesëtarëve të kabinetit, drejtuesve të drejtorive të ministrisë apo agjencive në varësi të Ministrisë së Financave, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, as ndaj kolegëve të qeverisë dhe as ndaj institucioneve kushtetuese, nuk është nxitur apo toleruar nga ana ime të sillet në mënyrë imponuese apo arrogante”, përgjigjet ish-ministri i Financave.



