spot_img
spot_img

Samir Mane ble ndërtesën tregtare në qendër të Mynihut, në operacion përfshihet Raiffeisen e Austrisë

spot_img

Gazetat gjermane njoftuan se biznesmeni shqiptar Samir Mane ka blerë ndërtesën historike Hertie Haus në qendër të Mynihut. Ndonëse shifra e transaksionit nuk është bërë publike, disa revista gjermane të specializuara në fushën e pasurive të patundshme, e vlerësojnë atë mbi 100 milionë euro, ndërkohë që mësohet se në financimin e transaksionit është përfshirë Raiffeisen Bank në Austri. Kjo e bën transaksionin, investimin më të madh privat shqiptar në tregjet ndërkombëtare.

Ndërtesa, e cila është njëkohësisht edhe monument kulture, është hapur në vitin 1905 nga Hermann Tietz, një nga pionierët e parë të qendrave të mëdha tregtare në Gjermani. Ajo u ndërtua me një stil luksoz dhe monumental, duke u kthyer menjëherë në vendin kryesor ku njerëzit e Mynihut gjenin gjithçka që u duhej.

Në vitet ’90, rrjeti i dyqaneve Hertie u ble nga grupi tjetër gjigant gjerman, Karstadt. Ndërtesa vazhdoi të funksiononte si qendër tregtare e lidhur me kompleksin e madh Karstadt.

Vitet e fundit, ndërtesa u ble nga miliarderi austriak René Benko dhe kompania e tij Signa. Ai kishte plane të mëdha, por në fund të vitit 2023, perandoria e tij Signa falimentoi në mënyrë spektakolare. Si pasojë, ndërtesa u la pas dore, u rrethua me gardh ndërtimi dhe mbeti e zbrazët si një gërmadhë ose rrënojë ndërtimi në mes të Mynihut, deri javën e kaluar kur Samir Mane mori zyrtarisht çelësat.

Transaksioni u konfirmua zyrtarisht këtë të diel nga tabloidi gjerman me bazë në Mynih, Tageszeitung, i cili publikoi dhe një interviste me Manen.

Lajmet e fundit