spot_img
spot_img

Shqiptarja që po habit Amerikën – Zbulimi i Eranda Berishës mund të hapë rrugë të reja kundër kancerit

spot_img

Shkencëtarja e re nga Prishtina, Eranda Berisha, po shënon një arritje të rëndësishme në fushën e kërkimeve anti-tumorale, pas katër vitesh pune intensive shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo pritet të prezantojë punimin e doktoraturës së saj në Inxhinieri Gjenetike dhe Shkencë të Teknologjive Celulare, me një studim që po konsiderohet premtues në luftën kundër kancerit.

Hulumtimi i saj fokusohet te virusi KSHV (Kaposi Sarcoma-Associated Herpesvirus), i njohur si shkaktari kryesor i Sarkomës së Kaposit, një formë e rrallë e kancerit që prek enët e gjakut dhe sistemin limfatik. Gjatë studimit, Berisha identifikoi proteinën FABP4 si një faktor kyç që ndihmon zhvillimin e virusit dhe përhapjen e qelizave kancerogjene në organizëm.

Sipas gjetjeve të saj, virusi manipulon yndyrnat brenda qelizave njerëzore për të mbijetuar dhe për t’u shumuar, duke krijuar kushte për zhvillimin e tumoreve. Ky zbulim mund të hapë rrugë të reja për trajtime inovative dhe më të avancuara kundër kancerit në të ardhmen.

Virusi KSHV lidhet kryesisht me Sarkomën e Kaposit, e cila mund të shfaqet në lëkurë, gojë, mushkëri, traktin tretës dhe nyjet limfatike. Ai konsiderohet veçanërisht i rrezikshëm për personat me sistem imunitar të dobësuar, si pacientët me HIV/AIDS, pacientët pas transplantit apo ata që përdorin terapi që ulin imunitetin. Përveç kësaj, virusi mund të lidhet edhe me disa sëmundje të rralla të gjakut dhe sistemit limfatik, përfshirë forma të caktuara limfomash.

Në shumë raste, KSHV mund të qëndrojë i fshehur në organizëm pa shkaktuar simptoma, por aktivizimi i tij ndodh kur sistemi imunitar dobësohet, duke rritur rrezikun për zhvillimin e tumoreve.

Projekti shkencor i Eranda Berisha është mbështetur nga disa prej institucioneve më prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Chan Zuckerberg Initiative, Cold Spring Harbor Laboratory, California Institute of Technology, Massachusetts Institute of Technology, Stanford University, Imperial College London, Fred Hutchinson Cancer Center, University of Washington, The University of Edinburgh dhe Vrije Universiteit Amsterdam.

Arritja e saj po vlerësohet si një sukses frymëzues për shqiptarët në botën e shkencës. Urime për Eranda Berisha për këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe suksese të mëtejshme në mbrojtjen e doktoraturës. Vlerësime shkojnë edhe për prindërit e saj, Skender Berisha dhe Hyrka Berisha, për mbështetjen dhe edukimin e vajzës së tyre, e cila sot po përfaqëson me dinjitet shqiptarët në arenën ndërkombëtare të shkencës.

Lajmet e fundit