spot_img
spot_img

Kur letërsia i kthen shpinën së vërtetës historike

spot_img

Nga Ervin Gjadri

Pasi lexon romanin e shkrimtarit Ben Blushi, “Historitë e çmendura të Tiranës”, pavarësisht vlerave letraro-artistike, nëse ka të tilla, ajo që të bie më shumë në sy janë pasaktësitë e shumta, shpesh të thella e të pajustifikueshme, në trajtimin e ngjarjeve, figurave dhe familjeve historike të Tiranës.

Është e vështirë të kuptohet se si një libër i mbushur me pasaktësi historike dhe interpretime të gabuara mund të marrë një publicitet kaq të madh (po bëhet pothuajse një muaj që Z. Ben Blushi po bën promovime anembanë trevave shqiptare, jep intervista e firmos autografe, sikur të jetë një shkrimtar me famë botërore) dhe të prezantohet në publik me vlerësime të ekzagjeruara.

Në këtë roman, ngjarje dhe personazhe me rëndësi për historinë e Tiranës trajtohen, në jo pak raste, sikur të ishin pjesë e legjendave, përrallave apo historive të sajuara, duke lënë mënjanë dokumentacionin dhe kontekstin historik që duhet të përbëjnë bazën e një vepre letrare serioze.

Për të të treguar se sa të vërteta janë ato që pohova më sipër, po marr vetëm një shembull: mënyrën se si ai trajton figurën e Esat Toptanit.

Kur flet per rolin  e Esat Toptanit në ngjarjet e rrethimit te Shkodres pohon me nje siguri te plotë, se ishte Esati qe i dorezoj Shkodren Malit te Zi , kur dihet qe të pakten ne rethimin e Shkodres roli i Esat Toptanit është i diskutueshem dhe i pasqaruar ende nga historianet.Per të bërë këtë pohim ,ai i referohet vetëm shkrimeve të bashkeshortes të konsullit Austrohungarez në Shkodër ne nje kohe qe ka pafund  e me shumice dokumenta shumë më të rendesishme historike në lidhje me kete ngjarje.

Duke vazhduar me Esat Toptanin  e paraqet ate,si një politikan pa parime, pa ide, i shtyrë vetëm nga ambicia për pushtet dhe para e në rastin e Esatit, ky gjykim qëndron, por kur thotë që Esati ka qenë unik si figurë politike në historinë e Shqipërisë, menjëherë lindin pyetjet: sa figura si Esati, madje edhe më keq, ka pasur në historinë e politikës shqiptare para dhe gjatë luftës, si edhe gjatë viteve të komunizmit?

Sa monstra u bënë protagoniste në politikë pas përmbysjes së komunizmit, bëmat e të cilëve i njohin të mëdhenj e të vegjël dhe vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot? Po të bëjmë një krahasim me disa prej tyre, Esati do të dukej patriot e një hajdut i rëndomtë xhepash.

Si mund të bëjë një pohim të tillë Z. Blushi, kur edhe vetë për disa vjet ka qenë pjesë e politikës dhe e ka parë nga afër veprimtarinë e këtyre monstrave?

Duke vazhduar me Esat Toptanin, ai njëkohësisht vazhdon të tregojë gjëra të pavërteta, që nuk kanë asnjë bazë historike.

Pohon, e madje me siguri të plotë, se vrasjen e Esatit e kanë organizuar vetë Toptanasit në një takim apo mbledhje që anëtarë të kësaj familjeje paskan bërë në qytetin e Lushnjës, para Kongresit apo gjatë tij!!!!

Po, është e vërtetë që anëtarë kryesorë të familjes Toptani kanë diskutuar disa herë në lidhje me Esatin, në kohën kur veprimtaria dhe qëndrimet e tij politike po bëheshin problematike për Shqipërinë, por e para e që nuk ka shumë rëndësi, është se këto takime janë realizuar në Tiranë (te vila Sarajet,në atë kohë në pronësi të Abdi Toptanit), si dhe në shtëpinë e Hamit Toptanit në Marikaj (Vorë).

Nuk e di se nga e shpiku Lushnjën shkrimtari Ben Blushi.

Dhe e dyta,në këto takime, opsioni i eliminimit fizik ka qenë i fundit.

Nëse Esati do të ishte vrarë nga Toptanasit, është e sigurt që, për shumë arsye, ekzekutori nuk do të ishte Avni Rustemi, por një tjetër person.

Vetë disponoj dokumente që tregojnë përmbajtjen e dy takimeve të anëtarëve të familjes Toptani tek shtëpia e Abdi Toptanit në Tiranë (Sarajet), si edhe fakte e dëshmi  që mi kane treguar djemtë dhe një nga mbesat e anëtarëve të familjes Toptani që kanë qenë pjesmarres në këto takime.

Por Z. Ben Blushi nuk i di e as nuk ka si t’i dijë këto fakte.

Duke qenë se nuk ka origjinë tiranase, por nga fshatrat e Korçës, gjithashtu me tradita të pasura historike e kulturore e nese zgjodhi të krijojë një roman që trajton historinë e Tiranës, figurat e saj, familjet e njohura dhe ngjarjet që kanë shënuar jetën e këtij qyteti, duhej që të paktën të ishte marrë me njohjen, studimin dhe konsultimin e dokumenteve, dëshmive dhe materialeve historike që kanë të bëjnë me Tiranën, e jo të tregonte përralla.

Duke pasur parasysh çka u tha më lart, të çudit edhe një fakt tjetër: qëndrimi i një pjese të kritikës letrare dhe i mediave shqiptare, në të cilat, që prej botimit të romanit, shkrimtari Ben Blushi shfaqet pothuajse çdo ditë në intervista me gazetarë apo gazetare, që me shumë mundësi nuk e kanë lexuar librin e që megjithate shprehen me superlativa,duke përdorur shprehje  të neveritshme si “Romani që po çmend publikun”.

Ashtu si në libër, edhe në këto intervista, Z. Ben Blushi nuk mungon të tregojë histori e ndodhi pothuajse banale, të cilat për publikun nuk paraqesin asnjë interes, apo të shkruajë e të thotë gjëra të cilat janë të pavërteta, si p.sh. të kishe telefon në shtëpi në atë kohë ishte privilegj i madh, apo ishte njësoj si të kishe Ferrari!!!

Që në atë kohë, për shumë familje shqiptare, të kishe telefon ishte gjë e rrallë, kjo  është e vërtetë, por jo për Zotin Blushi, duke qenë që familja e tij bënte pjesë në familjet e privilegjuara të regjimit.

Në fund të fundit e pranojmë faktin që një roman mund të ketë tematikë provokuese, për t’ia rritur vlerën artificialisht apo për t’u dukur interesant e për të rritur interesin ndaj tij te lexuesit mediokër,por kur historia e një qyteti transformohet në përrallë e familjet dhe figurat e tij në personazhe përrallash apo legjendash, kemi të bëjmë me një roman të dobët, dobësi e cila mbart edhe rrezikun e banalizimit dhe dezinformimit të kujtesës historike të qytetit.

Ismail Kadareja në një intervistë,të para disa viteve thonte:“ shkrimtarët mediokër janë një ushtri  e madhe e artit,të flijuar per artin, pasi jane keto shkrimtarë,ata që sigurojnë miliona lexues, gjë që arti i madh nuk e ben dot.

Lajmet e fundit