spot_img
spot_img

Tan Shyti, lojtari i zhurmshëm rezervë i të gjitha sporteve në Shqipëri

spot_img

Sa herë që bëhet pak zhurmë në sportin shqiptar, qoftë edhe pozitive, dëgjohet menjëherë një zë. Është i njëjti, ai i këndezit të ngjirur të oborrit, që nuk këndon sepse ka lindur dielli, por sepse nuk ka dhe nuk di të bëjë gjë tjetër. Nuk paralajmëron se po vjen mëngjesi, por thjesht paralajmëron poteren e radhës.

Dhe, për çudi, vjen gjithmonë nga i njëjti drejtim. Është Tan Shyti, personazhi i përhershëm i banakëve televizivë dhe paragrafeve të internetit, i veshur me frakun e pastorit që predikon moralin, transparencën, reformat dhe shpëtimin për sportin shqiptar. Estetikisht shfaqet i qetë, me klas, i kuruar, me një gjuhë të zgjedhur dhe me një elegancë që nuk mund t’ia mohosh. Në shumë raste, madje, edhe me sharm.

Por, për fat, sporti nuk është një vitrinë që kurohet me zë dhe figurë. Sporti është bilanc dhe rezultate. Dhe rezultatet nuk ndërtohen nga divani apo me intervista, por me gjurmët që lë pas.

Janë bërë vite që e dëgjojmë të predikojë për reforma, administrim, vizion dhe etikë. E bën me fjalë të bukura dhe me një interpretim që të krijon përshtypjen sikur po dëgjon një manual ndërkombëtar të suksesshëm të administrimit sportiv. Por sapo mbyllet emisioni, të mbetet një pyetje që nuk gjen kurrë përgjigje: nga buron gjithë kjo kompetencë dhe, mbi të gjitha, çfarë ka ndërtuar realisht në jetën e tij?

Sepse ekziston një ndryshim thelbësor mes atij që ndërton ura dhe atij që numëron tullat e të tjerëve.

Në fakt, në sportin shqiptar është formësuar prej kohësh një grup njerëzish që nuk prodhojnë medalje, nuk ndërtojnë projekte, nuk krijojnë institucione dhe nuk sjellin rezultate. Por janë jashtëzakonisht të aftë të prodhojnë kundërshti, debat dhe opozitë të përhershme ndaj kujtdo dhe për çdo gjë.

Nëse inaugurohet një palestër, për ta edhe ngjyra e mureve është problem. Nëse organizohet një event, ai konsiderohet skandal vetëm sepse mungon emri i tyre. Nëse arrihet një sukses, është rastësi. Nëse humbet një garë apo një ndeshje, atëherë shpallet katastrofë kombëtare.

Sepse këta njerëz nuk jetojnë dot me suksesin e sportit. Ata ushqehen me krizën e tij. Dhe Tan Shyti ka qenë një prej tyre që në fillim.

Kulmi i kësaj filozofie është letra imagjinare drejtuar Kryeministrit, të cilin, ndër të tjera, e ka edhe mik. Një ushtrim letrar që përsëritet vazhdimisht dhe që synon më shumë jehonën sesa zgjidhjen. Si zakonisht, fjalët dominonin mbi argumentet, ndërsa mllefi dhe përçmimi kishin zënë vendin e analizës.

Është fakt se Ramën e ka mik se dikur Rama i ka besuar Drejtorinë e Sportit dhe profecitë e tij për komunitetin e sportin mbeten në memorje.

Me një të rënë të lapsit në atë kohë u shkrinë klasat sportive në të gjithë vendin, duke këputur zinxhirin natyror të prodhimit të talenteve, një mekanizëm që për dekada kishte furnizuar sportin shqiptar me breza të rinj.

Kjo u pasua nga ligji i arbitrazhit sportiv, duke hequr KAS-in nga ligji i sportit. Dhe në vend që të krijonte një mekanizëm të shpejtë, funksional dhe të specializuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve sportive, sportistët dhe klubet i çoi të përballeshin me procese të gjata në gjykatat e zakonshme, që nuk kanë përfunduar ende as sot.

Më pas erdhi  pista e tartanit në stadiumin “Qemal Stafa” që në shiun e parë që ra në Tiranë, e mblodhën dhe përdorën për parkim.

Ndërsa si kurorë e këtij vizioni të administrimit të sportit ishte investimi në palestrën e peshëngritjes, ku u ndërtuan katër pedana të reja. Po të reja fare, po ndryshe nga standartet botërore 4x4m, u ndërtuan 4 pedana 2x2m dhe për fat të keq rrotat e shtangës dilnin jashtë pedanës, duke krijuar një situatë qesharake.

Prandaj, sa herë dëgjojmë sot leksione për vizion, reforma dhe administrim, është e natyrshme të kujtojmë edhe këtë bilanc. Sepse në jetën publike nuk mjafton të flasësh për sportin, por duhet të pranosh edhe peshën e vendimeve që ke mbështetur dhe pasojat që ato kanë lënë.

Dhe është fat që kjo letër është imagjinare dhe akoma më shumë që Edi Rama nuk i ka marrë më në konsideratë këto receta. Sepse, po të ishin marrë seriozisht mendimet e tij, do të kishin prodhuar më shumë tymnajë sesa dritë.

I madhi Qamil Buxheli krijoi dikur figurën e nihilistit, njeriut që nuk beson në asgjë, nuk ndërton asgjë dhe e gjen lumturinë vetëm duke rrëzuar e anatemuar punën e të tjerëve. Sa herë dëgjon disa nga “reformatorët” tanë të përhershëm, të krijohet përshtypja se ai personazh nuk ka mbetur në letërsi, por thjesht ka ndërruar kostum dhe ka hyrë në studiot televizive.

Dhe personazhi i këtij shkrimi nuk është as më shumë e as më pak sesa nihilisti i Qamil Buxhelit në versionin modern.

Ka një talent që nuk mund t’i mohohet: aftësinë për t’u përshtatur me çdo skenë. E ka kthyer xhaketën aq shumë herë, horizontalisht e vertikalisht, sa sot është e vështirë të kuptosh ku e ka jakën, ku i ka mëngët e ku i ka xhepat. E vesh sipas rolit që kërkon momenti dhe sipas publikut që ka përballë. Një ditë revolucionar, ditën tjetër institucional; sot kritik i ashpër, nesër predikues i dialogut. Mbetet i pandryshueshëm vetëm një element: dëshira për të qenë gjithmonë në qendër të skenës.

Kjo është arsyeja pse lind natyrshëm pyetja: kur flet për sportin, a e bën me shqetësimin e një administratori që kërkon zhvillimin e tij, apo me këmbënguljen e dikujt që prej vitesh është identifikuar publikisht më shumë me debatin mbi bastet sesa me rezultatet e sportit? Sepse në fund, një administrator gjykohet nga institucionet që ndërton, nga sportistët që mbështet dhe nga trashëgimia që lë pas, jo nga numri i daljeve televizive apo polemikave që ndez.

Në sportin shqiptar problemi nuk janë ata që gabojnë duke punuar. Problemi janë ata që nuk punojnë kurrë, por japin çdo ditë leksione.

Historia nuk ka pasur kurrë respekt për ata që bëjnë më shumë zhurmë sesa punë. Zhurma shuhet sapo fiken mikrofonat.

Për fat, historia mban mend vetëm ata që, në vend të zhurmës, lënë pas vepra.

Lajmet e fundit