Edi Rama ka marrë pjesë ditën e sotme në eventin për prezantimin e Programit Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë “Rilindja 2.0”. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri të ditur 6 pikat e këtij programi, të cilat do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve sa i përket strehimit të tyre.
Sipas Ramës, 4 mijë çifte të reja do të pajisen me çelësat e banesave, ndërsa do të jepen 2 mijë kredi me interes zero për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro. Dy mijë kredi të tjera do të ofrohen me interes 3% për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro.
“Do pajisim 4 mijë cifte të reja me celës për shtëpi. Sipas kritereve që do bëhen të qarta, po këtu nuk hyjnë kreditë e lidhura me administratën. 4 mijë cifte të ndarë sipas kategorive, janë 2 mijë kredi me interes zero.
Për cdo apartament nën 60 mijë euro, dhe këtu flasim për apartamente të vogla, do të zerojmë kredinë. Ndërsa 2 mijë kredi të tjera do të jenë me interes 3 % për apartamente mbi 60 mijë euro.
Strehimi social është vetëm një komponent, sot përballemi me një problem botëror. Një studim i fundit në Suedi, tregon se sot një i ri suedez mund të blejë më pak se 2 metra katror me kredi, jo nga xhepi.
Pra, jemi në kushtet kur nuk kemi të bëjmë vetëm me të pamundurit, por me njerëz që kanë të ardhura, por s’mund të blejnë një shtëpi me ato të ardhura që kanë. Kemi të bëjmë me burime njerëzore që s’mund t’ia lejojmë vetes t’i konsiderojmë të dorës së dytë”, tha Rama.
Problemi është së pari, se sot në Tiranë nuk gjen dot një apartament nën 60 mijë euro.
Kështu që vështirë se do të përfitojë njeri apartament me kredi zero.
Së dyti, dhe për ata që premtohet kredi me 3 përqind, vështirë se do përfitojë njeri, pasi për të blerë një shtëpi mbi 60 mijë euro, një çift duhet të ketë minimumi nja 20-30 mijë euro vetë (për të blerë një shtëpi 1+1, se 2+1 nuk bëhet fjalë).
Vetëm nëse këto apartamente ndërtohen nga vetë shteti, por Rama nuk e sqaroi këtë gjë, se nga do sigurohen 4 mijë apartamente për çiftet e reja.



