Aktivistja Edlira Çepani një prej emrave të lakuar si kandidate për zgjedhjet e bashkisë së Tiranës në 9 maj, ka propozuar që kandidati për zgjedhjet në Bashkinë Tiranë të dalë nga protesta.
E ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, ajo u tha se do ta konsideronte veten pjesë të garës për kryeqytetin nëse emri i saj propozohet nga protesta.
“Ka një lojtar të ri shumë të fortë, që është sheshi, është protesta. Unë mendoj që në këtë situatë në të cilën ndodhemi, besoj që duhet të dalë një emër konsensual nga sheshi dhe të mbështetet nga të gjitha partitë politike, me strategjinë e zgjuar që të dalim me vetëm një kandidat dhe jo me shumë kandidatë, që do t’ia jepte menjëherë me formulë fitoren PS-së, që i ka votat e veta brenda Tiranës.
Ambicia s’duhet të jetë individuale. Kur të vijë nga sheshi mund të shqyrtohet. Nëse duam që Tirana të japë edhe një mesazh politik, edhe kombëtar, emri duhet të vijë nga qytetarët, të mbështetet nga të gjitha partitë opozitare dhe të shkohet në zgjedhje me një kandidat të vetëm, që është kandidati i një fronti të tërë njerëzish që duan ndryshimin”, u shpreh Çepani.



