Nga Bledi Lumani
Sali Berisha prej dy ditësh ndodhet në SHBA.
Ai pritet të marrë pjesë në një konventë të republikanëve, ndërsa është takuar edhe me emigrantët shqiptarë që jetojnë aty.
Kuptohet në takim ka pasur edhe entuziasëm, pasi Berisha vazhdon të jetë një figurë e dashur për demokratët e hershëm, sidomos për ata që janë larguar që vitet e para nga Shqipëria, pasi e personifikojnë me njeriun që iu solli demokracinë.
Njeriu më entuziast, ka qenë vetë Sali Berisha, pasi 5 vjet pasi u shpall non grata familjarisht, për korrupsion madhor, pati mundësinë të udhëtojë drejt SHBA-së.
Non grata nuk ka rënë, por për të ka rëndësi që ndodhet në SHBA, gjë që po e shet si revansh ndaj kundërshtarëve të tij këtu në Tiranë.
Sepse në të vërtetë, kjo vizitë, bëhet pikërisht për këtë arsye.
Jo se do na rregullojë marrëdhëniet me SHBA, siç thotë Berisha, pasi ato në rregull kanë qenë e ashtu do të vijojnë të jenë, për sa kohë politika shqiptare do të jetë vasale e Amerikës.
Por të pataks ky entuziasmi qesharak i njerëzve që shoqërojnë Berishën, apo ata që kanë mbetur në Tiranë, që 24 orë në ditë dali në TV apo bëjnë deklarata në rrjetet sociale, duke e quajtur vizitën e kreut të PD në Amerikë, si “historike” për Shqipërinë, në “këtë moment kritik për vendin”.
Asgjë historike nuk ka kjo vizitë, as për Shqipërinë, as për vetë Berishën.
Për Shqipërinë jo e jo, se nuk ka ndodhur asgjë në marrëdhëniet Tiranë-Uashington.
Se jo për gjë, por Rama është i pari që iu ka dhënë “karta bianka” amerikanëve, që kanë dorë të lirë në Shqipëri.
Mjafton të kujtojmë këtu reformën në drejtësi, që u bë pikërisht me ngulmim të SHBA-së.
Por dhe për Berishën, asgjë historike nuk ka kjo vizitë.
Non grata për të mbetet, ashtu si dhe për familjen e tij.
Vizita e Doktorit, është thjesht një pelegrinazh, për t’iu treguar shqiptarëve se ai mund ta shkelë SHBA-në.
Por vetëm kaq.
Ndaj mirë është t’i shmangin këto deklarata qesharake, se historinë Doktori e ka mbyllur me kohë.
Dhe jo me nder, pavarësisht përpjekjeve të kushtueshme që bën prej vitesh, për t’iu mbushur mëndjen shqiptarëve, se SHBA ka gabuar me të.



