Kur Edi Rama deklaroi më 30 dhjetor 2023 se paga mesatare në sektorin publik do të arrinte 900 euro, shumëkush e konsideroi një tjetër premtim optimist të fundvitit.
Fundja ishte 30 dhjetor, pak orë më pas do të hidheshin fishekzjarret. Por, sigurisht duket se Kryeministri dinte diçka, në mos ka patur një plan.
Por në tremujorin e dytë të vitit 2026, sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 92.150 lekë.
Me kursin zyrtar prej 91,94 lekësh për euro, kjo pagë është e barabartë me rreth 1.002 euro.
Kështu, të paktën në përllogaritjen statistikore dhe jo sipas fuqisë blerëse, paga mesatare e ka tejkaluar me mbi 100 euro objektivin e shpallur nga Rama… dhe kjo, falë rrënimit të euros në raport me lekun.
Me ritmin e lartë në zhvlerësimit të monedhës europiane ndaj lekut, sot shqiptarët kanë më shumë euro në xhep, por blejnë më pak mallra dhe shërbime.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, paga mesatare bruto është rritur me 9,8%.
Megjithatë, struktura e pagave mbetet e polarizuar: 25,8% e të punësuarve marrin pagën minimale, ndërsa vetëm 17,1% paguhen mbi 120 mijë lekë në muaj.
Nga fillimi i vitit 2026, paga minimale u rrit nga 40 mijë në 50 mijë lekë, një ndryshim që ka ndikuar edhe në rritjen e mesatares kombëtare.
Duhet theksuar se premtimi i Ramës lidhej me pagën mesatare në sektorin publik, ndërsa shifra prej 92.150 lekësh përfaqëson pagën mesatare bruto në të gjithë ekonominë.
Por, falë rritjes së pagave dhe forcimit të lekut, shifra e konvertuar tashmë ka kaluar kufirin e 1.000 eurove.
Me këto ritme, ekonomia shqiptare rrezikon ta tejkalojë sërish premtimin e kryeminsitrit dhe ta çojë pagën mesatare në 1 200 euro.
Ndoshta është ndër të paktat raste kur i duhet thënë kryeministrit që të mos i mbajë premtimet!



