Kandidatja e PD për deputete, Jorida Tabaku foli në emisionin “Kjo Javë” në News 24 për zgjedhjet e 11 Majit dhe situatën brenda Partisë Demokratike.
E pyetur nëse synon drejtimin e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha se nuk aspiron diçka të tillë.
“Unë nuk e kam menduar as tani, as në të shkuarën, për të qenë në krye të Partisë Demokratike. Siç e thashë, unë garova për një vend në Parlamentin shqiptar. Do të jem aty gjithmonë për partinë dhe nuk ka rëndësi se çfarë roli kemi secili”, tha Jorida Tabaku.
Tabaku foli ndër të tjera edhe për fitoren e saj kundrejt Ilir Alimehemtit.
Tabaku tha se fitoren përballë kolegut të saj Ilir Alimehmeti nuk e konsideron sukses personal, e as privilegj.
Jorida Tabaku: Ka qenë një fushatë shumë e gjatë, e lodhshme, stresuese dhe me shumë vështirësi. PD vinte pas një sfide të brendshme të partisë, ishte një sfidë e re. Kisha pothuajse 3 muaj që fëmijët po e ndjenin mungesën, po më kërkonin llogari..dhe unë ndihesha keq.
Kjo është një mbështetje që sigurisht erdhi për PD, sepse ato janë vota të djathta. Nuk jam ndjerë komode sidomos ditët e fundit të numërimit, sepse gara ishte mes meje dhe doktor Alimehemtit dhe personalisht ti nuk ndihesh mirë.
Unë mendoj që Parlamentit do i bëjë mirë që të jetë edhe doktor Alimehmeti. Edhe PD i duhet …ishte një garë e ngushtë dhe nuk kishte pse të ishte mes nesh.
Pyetje: Keni shkëmbyer mendime gjatë fushatës?
Tabaku: Jemi takuar gjatë fushatës. Por kjo fushatë ka qenë ndryshe… Por me kolegët sigurisht që jemi takuar, kemi shkëmbyer mendime, edhe në mbledhjet e shtabit kur takoheshim që ndanim edhe sfidat. Nuk jam ndjerë komode për këtë nga pikëpamja personale dhe më vjen mirë që PD do të bëjë një betejë për votat e pavlefshme në Tiranë për mandatin e 14.
Votat për këdo janë brenda mbështetjes së PD. Unë funksionoj mirë brenda PD, …sepse janë besimet dhe vlerat e mia. Nuk e konsideroj fare sukses personal as si diçka personale, e konsideroj si mirëbesim për të vazhduar për të bërë një punë. Nuk është absolutisht privilegj, është përgjegjësi.