“Edi Rama mori një bursë nga një fondacion grek për të studiuar në universitetin e Harvardit meqë kishte nënën me origjinë greke”. Është kjo akuza që vjen nga Niki Tzavella, ish-deputetja greke e partisë “Nea Demokratia”. Ajo ka shkruar në rrjetet sociale se kjo ka ndodhur në kohën kur ajo ishte nënkryetare këtij fondacioni.
Tzavella, përgjegjëse për përzgjedhjen e studiuesve të Evropës Juglindore në Harvard, shkroi në një postim në X se ishte ajo që përzgjodhi Ramën kur mbante detyrën e kryetarit të bashkisë së Tiranës për të studiuar me para nga një fondacion grek.
Vetë Rama nuk e ka përmendur ndonjëherë të ketë studiuar në Harvard dhe nuk dihet nëse e ka përdorur ndonjëherë bursën e marrë (nëse e ka marrë një të tillë).
“Unë isha përgjegjëse për përzgjedhjen e studiuesve. Si zëvendëspresidente, pothuajse më erdhi keq për të, ai kishte një vullnet të fortë për të ecur përpara. Nëna e tij ishte greke” – shkroi ajo në X.

Sipas zonjës Tzavella, kërkesa kryesore për të përfituar këtë bursë ishte që të kishe prejardhje nga minoriteti grek. Sipas saj kryeministri shqiptar e përmbushi kërkesën, pasi nëna e tij është greke, por tani ajo thotë se vendimi që ka marrë një “gabim të madh”.
“30 vjet më parë ai nuk ishte famëkeq. E zgjodha për shkak të njohurive të mia shumë të mira për Shqipërinë, për shkak të punës sime të mëparshme atje. Ai ishte gjysmë-minoritar, kishte kualifikimet e kërkuara (kryetar bashkie, të cilat nuk i kishin njerëzit e tjerë të minoriteteve. Ishte e detyrueshme që ai të ishte zyrtar) dhe sigurisht që ishte i aftë.

Shqiptari tjetër të cilin çuam për studime u bë Ministër i Financave. Unë ia kisha pagëzuar fëmijën (ai vdiq i ri). Nuk kishte kuptim. Në fund të fundit, në Evropën Juglindore në atë kohë kishte shumë pak njerëz që përmbushnin kërkesat për një arsimim në Harvard. Do të habiteni kur të shihni se cilët politikanë në Evropën Juglindore erdhën nga ky Fondacion. Yje!” – shkruan ajo që më pas bën akuza për Ramën si mosmirënjohës.

“Kam të drejtë ta përshkruaj mosmirënjohësin si mosmirënjohës. Ndoshta i kam ofruar më shumë Shqipërisë sesa ai. Me gabimin tim MË TË MADH, që e zgjodha atë të studionte në Harvard, atë primitivin, me një bursë nga Fondacioni Helenik. PRANDAJ ai e urren Greqinë. Sepse nga një Kryetar Bashkie gjysmë i egër studioi në Amerikë. Kaq, për të mos thënë më shumë. Nuk ka armik më të keq se ai që ka përfituar nga ti!!” – shkruan Tzavela.
“Protothema” shkruan se deklaratat e saj erdhën pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarit greko-amerikan John Defterios gjatë një Samiti për Zhvillim të Qëndrueshëm në Abu Dhabi, gjë që shkaktoi reagime në Greqi.
E vërteta
Këto pretendime u hodhën poshtë publikisht nga Petros Kokkalis, ish-eurodeputet i SYRIZA-s dhe përfaqësues i familjes themeluese të Fondacionit Kokkalis. Në një reagim në platformën X, Kokkalis sqaroi se kryeministri shqiptar nuk ka aplikuar dhe nuk ka qenë kurrë përfitues i Programit Kokkalis.
“Z. Tzevela mund të mos e mbani mend saktë, @ediramaal nuk kishte aplikuar kurrë në Programin Kokkalis. Megjithatë, ai na nderoi, si shumë udhëheqës të Evropës Juglindore, duke marrë pjesë si Kryetar Bashkie në fjalimet që organizuam në Harvard”, shkruan ai.
Sipas tij, pjesëmarrja e Ramës në aktivitete akademike në Harvard ka qenë në kuadër të rolit të tij institucional si kryetar i Bashkisë së Tiranës, një praktikë e zakonshme për drejtues vendorë dhe politikë nga rajoni, dhe jo si rezultat i një burse apo programi studimi.



