spot_img
spot_img

E dëbuar apo e dënuar? Zbardhet incidenti në kufi me gjyqtaren Irena Gjoka, bashkëshorti bëri fjalë me policin grek, i vunë kryq vizës

spot_img

Historia e gjyqtares Irena Gjoka po bëhet e qartë ditë pas dite, ndërkohë institucionet po merren seriozisht me rastin e saj. Siç debatojnë dy jurist që e njohin çështjen, Alfred Balla dhe Guri Brahimllari, duket se mosdijenia e Irena Gjokës për dënimin e saj në Greqi, është një masë lehtësuese, por asaj I takon të provojë se nuk ka ditur gjë për procedurën.

Irena Gjoka dhe bashkëshorti I saj kanë dashur të kalojnë kufirin grek në vitin 2005. Siç konfirmon publikisht Alfred Balla, bashkëshorti i Irena Gjokës ka bërë fjalë me policin grek në kufi e për këtë arsye, polici, ka vendosur kryq në vizën e saj të rregullt.

“Irena ka rënë pre e kapriços së policëve të kufirit të cilët kanë debatuar me bashkëshortin e saj dhe i kanë vënë kryq vizës së rregullt që ajo e merrte sa herë të donte pasi gjyqtarët e prokurorët kanë patur akses më shumë në ato vite. Nuk është dëbuar ndonjëherë nga shteti grek, vetëm është kthyer në kufi. Nuk ka patur motiv të lëvizte me vizë të falsifikuar dhe ndaj ka autorizuar një person ta ndiqte administrativisht në institucionet greke.

Pas 20 e ca vitesh gjendet një vendim penal që në mungesë, pa asnjë njoftim, pa u përfaqësuar e ka dënuar me tre muaj burg të konvertuar me gjobë, i cili pas disa muajsh kur ka dalë ligji grek është arshivuar pa u zbatuar dhe sipas praktikës së GJEDNJ në një rast kundra Greqisë, barazohet me pushimin e pafajësinë. Kaq ka ndodhur dhe ajo s’ka pas asnjë lloj dijenie për këtë vendim alla grekshe. Gjithë tjerat janë tymnaja interesash”, shkruan Alfred Balla.

Më pas ish-kreu i KLP argumenton se në këtë rast nuk bën dot hetim as SPAK e as ILD.

“Vepra e “mostregimit” në deklaratën e dekriminalizimit të faktit që je dënuar në 2005 në Greqi pavarësisht faktit se ajo s’ka patur asnjë dijeni, nuk hetohet nga SPAK (nuk e ka për kompetencë) dhe nga askush nga prokuroritë se është parashkruar. As ILD nuk heton dot pasi “shkelja disiplinore” e dyshuar ka 20 vjet dhe është parashkruar. Më e forta është se ajo në dëshminë greke të penalitetit rezulton e padënuar.

Çështja Panou v Greqisë në GJEDNJ ka një rast të ngjashëm, ku thuhet se personat e dënuar deri në 2005 me 6 muaj burg e poshtë, barazohen me të pafajshmit. Vet prokurori i Greqisë e ka mbyllur ekzekutimin dhe të dojë Irena ta rihapi nuk e bën dot se ligji grek 2005 i ka mbyllur me amnisti duke i quajtur të padënuar. Pra edhe vendimi grek nuk mori formë të prerë dhe u arshivua”, argumenton Balla.

Edhe Guri Braimllari i ka dalë në mbrojtje gjyqtares.

“Me gjykatësen I.Gjoka kam patur njohje të hershme, në fillimet e detyrës si gjyqtar në Gjykatën e Fierit, ndërsa kur ajo erdhi tek Krimet e Rënda kam gjykuar ankimet e vendimeve të dhëna edhe prej saj, sepse isha emëruar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Prandaj për Irenën dhe për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që vijojnë të ushtojnë funksionet apo janë emëruar rishtazi në GJKKO apo në SPAK, nuk do të dëshiroja kurrë që të merreshin masa disiplinore (e aq më pak që të largoheshin nga detyra) edhe pse, tash në detyrën e avokatit kemi qëndrime të ndryshme edhe për shkeljen prej tyre të parimeve thelbësore të procesit penal.

Por në situatën e revanshit mediatik ndaj gjykatëses Gjoka, më duhet të evidentoj se ashtu si për këdo tjetër edhe për Irenën, ekziston parimi i prezumimit të pafajësisë që në këtë rast lidhet me DIJENINE e saj për dënimin e dhënë në mungesë nga një gjykatë greke.

Prandaj më shumë se sa parashkrimi i afatit për procedim disiplinor, në këtë rast determinante është e duhet te jetë çështja e zbatimit të parimit të njohur botërisht MOS DENIMI PA FAJ. Uroj që për gjykatësen Irena Gjoka të provohet se nuk ka patur dijeni për vendimin e dënimit penal në Greqi”, shkruan Braimllari.

Lajmet e fundit