Programi për strehimin social të prezantuar nga qeveria ka ngjallur jo pak debat, lidhur me vlerën e banesave që janë përcaktuar, me qëllim përfitimin e kredisë me zero interes. Që një individ ë përfitojë nga kjo skemë duhet të gjejë shtëpi me vlerë 60 mijë euro. Për shumë qytetarë ky çmim duket më shumë si një slogan sesa vlerë reale e tregut.
“Po ne themi se ka banesa apo studio me vlerë 60 mijë euro në Tiranë. Sigurisht nuk janë brenda unazës por janë në periferi. Mund të jenë një numër i kufizuar, por mendoj se si një hap i parë për ti ofruar çifteve të reja strehim është një masë që vlen.
Të paktën si fillim një sipërfaqe e vogël të shërbej për të patur një çati për çiftet e reja”, thotë Erjon Harizi nga shoqata e ndërtuesve
Sipas tij program i qeverisë për strehimin social është një masë e duhur. Lajm i mirë sipas tij është fakti që është zgjeruar fasha e përfituesve. Pra nuk trajtohen vetëm ata pa strehë, por edhe familjet që duan të blejnë një apartament 1+1 apo dhe 2+1
“Është pozitive që kufiri maksimal i vlerës së shtëpisë, që mund të marrë një çift ka arritur në 200 mijë euro. Deri në këtë limit ka prona, të cilat janë në treg jo vetëm nga ana e ndërtuesve por edhe për çdo individ tjetër që synon të shesë pronën e tij.
Ne si ndërtuese jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë dhe të ofrojmë më shumë godina me sipërfaqe më të vogël në mënyrë që të jenë të përballueshme për shumë çifte, individ apo familje”, tha Harizi për Vizion Plus
Çmimet e pronave në vend kanë shënuar një rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke bërë që në Tiranë çmimi mesatar të arrijë në 2000 euro për metër katror.
Sa duhet t’i keni të ardhurat mujore që të përfitoni nga skemat e strehimit?
Rritja e ndjeshme e çmimeve të pasurive të patundshme vitet e fundit në Shqipëri ka bërë që blerja e një shtëpie të kthehet në një mision të pamundur. Me këtë argument qeveria thotë se programi i prezantuar për strehimin ka si qëllim të adresojë këto ndryshime në treg. Një nga ndryshimet thelbësore ka të bëjë me nivelin e të ardhurave që duhet të plotësojnë çiftet apo individët që do të aplikojë për të përfituar kredi me zero interes apo me interes 3%. Dardana Grabovaj tregon për e-ZONE se sa kanë ndryshuar vlerat.
“Sot që flasim një familje e pastrehë, që kërkon të blejë një shtëpi duhet të plotësojë kriterin e të ardhurave që është minimalisht 90 mijë lekë në muaj. Duke parë ecurinë e çmimeve në e kemi rritur këtë kufij dhe e kemi bërë 275 mijë lekë të reja në muaj për dy persona neto. Në këtë mënyrë i japim mundësi çdo shtrese, që të aplikojë ne skemat ku e gjen veten”, sqaroi Grabovaj
Paralelisht me këtë fakt, sipas qeverisë po punohet edhe në dy zona të Tiranës për të ndërtuar banesa me kosto të ulët. Kjo skemë është për ato familje që janë në kufijtë e pamundësisë për të paguar kredi.
Me fondin e tatimit 3% që paguajnë ndërtuesit kemi një shumë prej 8 mln euro të arkëtuara me të cilat kemi planifikuar, që të ndërtojmë 500 banesa sociale me kosto të ulët.
“Për të gjithë ata që mendojnë se jemi duke u fokusuar vetëm tek kërkesa, u them se nuk është e vertet, ne po shohim dhe anën e ofertës për të ofruar një ekuilibër më të mirë në tre dhe për të shmangur rritjen e mundshme të çmimeve”, përfundoi Grabovaj
Në vitet e fundit qeveria thotë se ka adresuar rreth 30 mijë familje të pastreha duke ofruar banesa dhe skema të kredive të buta.



