Ish-prokurori Ervin Karanxha shprehet se figura e prokurorit Ols Dado lë dyshime, pasi ka qenë noter dhe me ligjin e kohës nuk mund të bëhej prokuror.
“Në dukje proces i rregullt. Gjatë publikimit në media kam parë një shkelje të ligjit. Çdo person ka të drejtë për proces ligjor. Ols Dado në bazë të vendimit të KPK është bërë prokuror në kundërshtim me ligjin.
Ligji ka kritere, jo noter. Noterët me ligjin e kohës nuk mund të bëheshin prokuror. Kaloi me propozim të prokurorit të përgjithshëm dhe dekret të presidentit. Në parim është marrë një person që nuk plotëson kriteret. Ka lobim.
Duket një dorë që e ka bërë në kundërshtim me ligjin. Duke qenë i kapur ekziston risku që të jesh prokuror i varur. Kjo është problem.
Parimisht është marrë nga rruga dhe është bërë prokuror. Ka kaluar dhe vettingun. Vetingu nuk e ka kapur. Kjo është A-ja, nuk plotëson kushtet. Ndjekja penale duhet të funksionojë në bazë të ligjeve. Nuk mundet prokuroria të funksionojë mbi bazën e interesave personale”, tha ai për Report TV.
Sa i përket dyshimeve se janë intimiduar dëshmitarë, Karanxha thekson se këto pretendime duhet të bëhen publike.
“Çdokush që ka problem duhet ta ngrejë pretendimin. Çdo person nëse ka dhunë duhet ta pretendojë. Biseda përveç proces verbalit duhet incizuar. Kur ka probleme. Kodi ka vetëm deklarimin me shkrim”, tha ai.
Më tej u shpreh se ILD duhet të vihet në lëvizje lidhur me pretendimet e sjelljeve të prokurorëve, ndërsa për Ols Dadon ka dyshime se si ka kaluar vettingun dhe është futur në Prokurorinë e Posaçme.
“ILD duhet të vihet në lëvizje. Jemi në rastet e mbarimit të mandatit të statusit të prokurorëve. Karriera e Ols Dados për tu çuditur. Në 2008 ka qenë prokuror në Pogradec, menjëherë vjen në Tiranë te Task Force, kalon vettingun, futesh në Prokurorinë e Posaçme. Të lë dyshime se ky është i dyshimtë. ILD duhet të vihet në lëvizje. Duhet të respektohet ligji, të mblidhet a është në rregull”, tha Karanxha.
Nëse vërtetohet se Dado ka marrë leje ndërtimi nga Veliaj, ish-prokurori Karanxha thotë se duhet të japë dorëheqje:
“Nëse del e provuar, Ols Dado duhet të japë dorëheqje sepse ka konflikt interesi. Duhet të largohet nga dosja. Edhe biseda duhet provuar. Nëse ka lidhje direkte duhet të japë dorëheqje. Paanësia është kryesorja. Çdokush duhet të jetë prokuror në bazë të ligjit”
Sakaq, theksoi se për Veliajn ashtu dhe për Metën e Berishën nuk duhet të kishte masë arresti pasi mund të hetoheshin në gjendje të lirë:
“As Veliaj dhe as Meta nuk mund të kishin një masë arresti. Mund të hetoheshin në gjendje të lirë. Gruaja duhet të kishte të paktën detyrim paraqitje që të çonte në shkollën fëmijën. Është drejtësi e re me vegla të vjetra. Një pjesë e atyre që kanë bërë gabime janë aty.’