Bamir Topi, gjatë fjalës së tij në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka reflektuar për periudhën e kaluar politike, duke përmendur disa figura të njohura të politikës shqiptare që kanë krijuar parti të tjera pas largimit nga partitë më të mëdha.
Ai ka përmendur emra si Ben Blushi dhe Astrit Patozi, të cilët, sipas tij, janë bërë viktima të një sistemi të korruptuar që ka shkatërruar individët dhe partitë që kanë tentuar të ndryshojnë.
Topi shpjegoi se këta politikanë, të cilët kishin potencialin të bëheshin liderë të fortë, u rrënuan dhe u larguan nga skena politike për shkak të “kriminalizimit të sistemit dhe politikës”. Ai ka vënë në dukje se kjo situatë është një pasqyrë e asaj që ka ndodhur me Partinë Demokratike dhe me kryeministrin aktual.
“Pse pak ishte zoti Blushi? Një politikan nga më të aftët në Parlament, intelektual, qytetar, një zë publik, krijoi partinë dhe iku. Pse? Sepse e vodhën, e rrënuan siç na rruan ne”, tha Topi, duke theksuar se kjo është një situatë e përsëritur për ata që kanë tentuar të ndryshojnë sistemin.
“Kështu nuk është më çështje partish politike apo individësh, por është çështje sistemi. Këtu është ndërtuar një sistem që Shqipëria në çdo lloj rrethane, mbetet bipolare, pushteti dhe në pjesën opozitare mbetet PD.
Të kthehemi në të kaluarën, do të përmend disa emra. Duke marrë në konsideratë edhe pjesëmarrjen time në politikë pas Presidencës, ku bashkë me mua ishin një grup njerëzish të nderuar, pjesëmarrës në politikë, të njohur në publik – ndodhi ajo që ndodhi.
Pse pak ishte zoti Blushi? Një politikan nga më të aftët në Parlament, intelektual, qytetar, një zë publik, krijoi partinë dhe iku. Pse? Sepse e vodhën, e rrënuan siç na rruan ne. Pak ishte zoti Patozi? Gazetar, politikan, krijoi partinë e tij dhe iku edhe ai.
Çfarë shoh unë këtu? Shoh individë që kanë krijuar disa parti politike. Kanë patur akses mediatik gjatë gjithë kësaj periudhë dhe po të shikoni po vjen e ngushtohet hapësira e po dalin në pah sërish ata që e shkatërruan sistemin kryeministri aktual dhe kryetari i PD”, tha ai.