“Unë jam Tani dhe do jem përgjithmonë! Të dua përjetësisht zemërbardhi im!”
Ky është dedikimi i bashkëshortes së Artan Lames, për ikjen e parakohshme të tij. Mirela ndan një fotografi të veçantë të Tanit, me sytë nga objektivi i kameras, ndoshta realizuar nga vetë ajo dhe shkruan mesazhin e ndjerë për bashkëudhëtarin e jetës.
Zemra e tij e madhe ka pushuar së rrahuri përgjithmonë mesditën e kësaj të premte, datë 23 Maj, në Mynih të Gjermanisë, kur mjekët vendosën t’i hiqnin aparaturat jetike.
Arkëmorti me trupin e Artan Lames do të niset në rrugë tokësore nga Gjermania për në Tiranë sapo të kryhen të gjitha procedurat ligjore. Nëna, familja e tij e madhe dhe miqtë e panumërt që bëri në rrugën e jetës, do t’i japin lamtumirën dhe më pas trupi i Tanit do të përcillet për në banesën e fundit.