Ersuin Shehu
Normat e larta të inflacionit së shpejti mund të sjellin edhe një shtrenjtim të produkteve të sigurimit. Përfaqësuesit e industrisë së sigurimeve shprehen se tashmë, rritja e çmimeve është e prekshme në shumë produkte dhe shërbime që mbulohen nga policat e sigurimit.
Për shembull, kosto e rregullimit dhe riparimit të automjeteve është rritur ndjeshëm, sipas siguruesve, me 25%. Shërbimet mjekësore të ofruara nga spitalet dhe klinikat private gjithashtu priten të shtrenjtohen.
Një sektor ku shtrenjtimi është edhe më i prekshëm, që para valës inflacioniste, është ai i pasurive të paluajtshme. Sot pronat dhe materialet e ndërtimit kushtojnë më shumë, ndërsa në shtrenjtim të ndjeshëm janë edhe mobiliet dhe pajisjet shtëpiake.
Siguruesit mendojnë se një skenar i tillë natyrshëm do t’i bëjë më të shtrenjta sigurimet e automjeteve, të shëndetit, të banesave dhe shumicën e përgjegjësive të tjera që mbulojnë kompanitë e sigurimeve. Inflacioni i lartë nuk do të ndikojë vetëm kostot e brendshme të tregut, por edhe tarifat e risigurimit.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë shprehen se këto tarifa janë rritur, për shkak të ngjarjeve të viteve të fundit që kanë pasur impakt negativ në risqet e tregut, si tërmeti, pandemia dhe lufta në Ukrainë. Inflacioni në rritje pritet të ndikojë negativisht fuqinë blerëse për produkte sigurimi vullnetare.
Në rast se siguruesit do të lidhin më pak kontrata dhe do të sigurojnë më pak prime, logjikisht kjo do t’i detyrojë të rrisin çmimet, për shkak se sigurimet bazohen në logjikën e numrave të mëdhenj. Me një numër më të vogël të siguruarish, kompanitë do të përpiqen të mbledhin mesatarisht më shumë prime për kontratë, për të zbutur efektet e luhatjeve në rezultatet financiare, si dhe për të mbrojtur aftësinë paguese.
Vendosja e TVSH-së mund t’i shtrenjtojë me 10% sigurimet
Një element tjetër që kërcënon konsumatorët me shtrenjtim të produkteve të sigurimit është propozimi i FMN-së për vendosjen e TVSH-së në produktet e sigurimit të jo-jetës.
Ky propozim është përfshirë në strategjinë afatmesme të të ardhurave të Ministrisë së Financave. Megjithëse diskutimi i ndryshimeve tatimore që përmban ky dokument është shtyrë, për shkak të valës inflacioniste që ka goditur ekonominë, është e pritshme që edhe ky propozim të shtrohet nga Ministria e Financave, në momentin kur strategjia të kthehet në tryezat e diskutimit.
Aplikimi i TVSH-së në produktet e sigurimit të jo-jetës logjikisht do të sillte rritje të çmimit final të paguar nga konsumatorët. Aktualisht, në sigurimet e jo-jetës aplikohet një tatim standard mbi primin në masën 10%. TVSH-ja në masë standarde 20%, me shumë të ngjarë do të sillte shtrenjtim të sigurimeve me diferencën prej dy tatimeve, në masën 10% shtesë.
Sipas siguruesve, ky sektor nuk ka vlera shumë të mëdha të TVSH-së së kreditueshme, ndaj aplikimi i TVSH-së do të reflektohej i plotë në çmimin final të paguar.
Përfaqësuesit e sektorit argumentojnë se vendosja e TVSH-së do të frenonte më tej rritjen e këtij sektori, duke pasur parasysh edhe faktin se Shqipëria ka sot një nga tregjet më pak të zhvilluara të sigurimeve në Europë, me rreth 55 euro prime sigurimi për frymë në vit.
Vjeshtën e kaluar, Shoqata e Siguruesve kërkoi madje uljen e tatimit mbi primin për sigurimet vullnetare, si një incentivë për rritjen e mbulimit të shoqërisë me sigurime dhe për uljen e rreziqeve të mbajtura nga familjet, por edhe nga sektori publik, në raste të fatkeqësive madhore, si tërmeti i vitit 2019.
Por, deri tani, një kërkesë e tillë nuk ka marrë përgjigje, madje Ministria e Financave po konsideron një rritje të mëtejshme të ngarkesës tatimore, nëpërmjet aplikimit të TVSH-së.
Rriten limitet e përgjegjësive për sigurimet motorike
Në korrik të vitit të kaluar, hyri në fuqi ligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Mes të tjerash, ligji parashikon rritje progresive në limitet e përgjegjësive të siguruesve krahasuar me atë të mëparshëm, por në përmasa më të vogla se ato që kishte propozuar AMF-ja në variantin fillestar të draftit dhe që mbështetej në rekomandimet e Bankës Botërore.
Në periudhën 2021-2025, shuma minimale e përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident do të rritet me 2 milionë lekë çdo vit, duke arritur në nivelin final prej 30 milionë lekësh në vitin 2025.
Më konkretisht, nga 20 milionë lekë që ishte vitin e kaluar, prej 1 janarit 2022, limiti i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident është rritur në 22 milionë lekë. Në 1 janar 2023 do të hyjë në fuqi rritja e radhës, me 2 milionë lekë të tjera.
Për dëmet e shkaktuara nga një ngjarje sigurimi, kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo mjet është rritur në 55 milionë lekë, që prej fillimit të këtij viti. Sidoqoftë, edhe në këtë rast, kufijtë minimalë të përgjegjësisë do të rriten gradualisht me 4 milionë lekë çdo vit deri në vitin 2025.
Ligji i ri parashikon edhe një dispozitë të re të lidhur me paaftësinë e përkohshme për punë dhe trajtimet mjekësore, për të cilat parashikohet një përgjegjësi minimale prej 1 milion lekësh.
Primet në sigurime llogariten si një përqindje e caktuar e përgjegjësisë së siguruar, përqindje që mund të ndryshojë në varësi të riskut që paraqet çdo produkt sigurimi. Në parim, rritja graduale e limitit të përgjegjësisë pritet të sjellë, në mënyrë të pashmangshme, edhe shtrenjtimin e primeve.
Tavani për komisionet e shitjes ul hapësirat për “pazar” nga agjentët
Komisionet e shitjes janë një element i rëndësishëm në përcaktimin e çmimit final që konsumatorët paguajnë për produktet e sigurimit. Për të konkurruar me njëra-tjetrën, kompanitë e sigurimeve ofrojnë komisione relativisht të larta shitjeje për agjentët, të cilat, në një pjesë të mirë përkthehen në ulje për klientët.
Për 9-mujorin 2021, shpenzimet e marrjes në sigurim, që në pjesën më të madhe konsistojnë në komisione për agjentët e shitjeve, prekën vlerën e 4.2 miliardë lekëve, me një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por, në ligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është vendosur që këto komisione të kufizohen, të paktën për produktet e detyrueshme motorike, që zënë edhe peshën kryesore në strukturën e primeve të tregut shqiptar të sigurimeve. Që prej fillimit të këtij viti ka hyrë në fuqi rregullorja e posaçme “Për komisionet e ndërmjetësimit”.
Sipas rregullores, shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, nuk mund të aplikojnë në total komisione ndërmjetësimi, për çdo policë të shitur, më të lartë se 20% e primit të shkruar bruto, nga 1 janari i vitit 2022.
Ndërkohë, duke filluar nga 1 janari 2023, komisioni tavan do të ulet në 18% të primit të shkruar bruto. Vendosja e niveleve tavan të komisioneve synon të rrisë eficiencën e shpenzimeve të kompanive të sigurimit të jo-jetës.
Sipas të dhënave të para të AMF, hyrja në fuqi e rregullores së mësipërme ka sjellë menjëherë ndikim me ulje të ndjeshme të komisioneve në tregun e sigurimeve.
Bazuar nga të dhënat teknike dhe financiare, të raportuara nga shoqëritë e sigurimit, për tremujorin e parë të vitit 2022, rezulton se komisionet e ndërmjetësimit për sigurimin e detyrueshëm motorik (TPL, kufitare, Karton Jeshil) kanë zbritur në një mesatare tregu prej 18.5%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këto komisione ishin në masën 27.5%.
Sipas AMF, mesatarja e viteve të fundit për këto komisione, përpara kufizimit të tyre me rregullore nga Autoriteti, ishte në masën rreth 28%.
Gjithashtu, shënohet një rënie edhe sa i përket totalit të shpenzimeve të marrjes në sigurim (ku përfshihen edhe komisionet e ndërmjetësimit). Rezulton se për tremujorin e parë të vitit 2022, mesatarja e shpenzimeve të marrjes në sigurim për tregun e Jo-Jetës, për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik, është 24.2% e primeve të shkruara bruto.
Për të njëjtën periudhë të një viti më parë, mesatarja ishte 32.5% e primeve të shkruara bruto në sigurimin TPL, Karton Jeshil dhe Policë Kufitare.
Një nivel më i ulët komisioni ul hapësirat e negocimit të çmimit që agjentët e shitjes iu bëjnë zakonisht klientëve. Për këtë arsye, niveli tavan i komisioneve mund të ketë gjithashtu ndikim të pjesshëm në çmimet reale që pronarët e mjeteve paguajnë për sigurimin e detyrueshëm motorik.
Tregu i sigurimeve është fitimprurës
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në fund të 9-mujorit 2021, fitimi neto i kompanive të sigurimit arriti në 1.15 miliardë lekë. Ky rezultat ishte më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me 4.3% më pak.
Rënia e fitimeve të tregut i detyrohet rezultatit në rënie në segmentin e sigurimit të jetës, ku ndërmarrjet raportuan fitime neto për 76 milionë lekë, me një rënie prej 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse primet e shkruara bruto në sigurimin e jetës për periudhën janë rritur me 25%, tkurrja e fitimeve ka ardhur paralelisht nga rritja e shpenzimeve neto për pagesën e dëmeve, por edhe nga rritja e shpenzimeve të marrjes në sigurim.
Kompanitë e sigurimit të jetës janë prekur ndjeshëm nga rritja e vdekjeve që është regjistruar në periudhën pas pandemisë dhe efektet në dëme janë ndier sidomos gjatë këtij viti. Por, nga ana tjetër, ato kanë rritur edhe shpenzimet e marrjes në sigurim, që prekën vlerën e 335 milionë lekëve, 44% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shpenzimet e marrjes në sigurim konsistojnë kryesisht në komisione për shitjen e produkteve të sigurimit.
Segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës, vitin e kaluar ka shfaqur performancë më të mirë. Për 9-mujorin, fitimi neto ka arritur në 1.07 miliardë lekë, me rritje prej 3.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në këtë segment, primet e shkruara bruto, që përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të siguruesve, janë rritur me 17.5% krahasuar me një vit më parë.
Por, edhe në tregun e jo-jetës po paguajnë më shumë dëme në vlerë neto. Vlera totale e tyre arriti në 3.45 miliardë lekë, 29% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithëse në terma bruto rezultojnë të paguara më pak dëme, diferencën e ka bërë kryesisht rënia e pjesës së paguar nga risiguruesit në totalin e dëmeve. Vitin e kaluar, pjesa më e madhe e dëmeve në tregun e sigurimit të jo-jetës lidhej me tërmetin e nëntorit 2019.
Për sa u takon treguesve të përfitueshmërisë, të dhënat më të fundit i takojnë vitit 2020. Kthimi nga kapitali për vitin në nivel industrie rezultoi në nivelin 8.73%, në përmirësim të lehtë për të dytin vit radhazi. Aktiviteti sigurues ka shfaqur kthime pozitive, por pa arritur nivele dyshifrore.
Në pesë vitet e fundit, kthimi nga kapitali ka rezultuar mesatarisht në nivelin 7.66%. Në kushte normale, ky nuk është një nivel shumë i lakmuar kthimi për një investitor.
Sidoqoftë, duke pasur parasysh stadin e zhvillimit të tregut, varësinë e lartë nga produktet e detyrueshme dhe konkurrencën e fortë me komisione që kompanitë zhvillojnë me njëra-tjetrën, përfitueshmëria e aktivitetit të sigurimeve mund të vlerësohet relativisht e kënaqshme.