14.1 C
Tirana
E premte, 16 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Berishën e “tradhton” dhe Ilir Vrenozi: Doktor, nuk vazhdohet më kështu

    Demokrati i famshëm Ilir Vrenozi, edhe pse një mbështetës i flaktë i Sali Berishës, thotë se nuk vazhdohet më kështu.

    Ai shkruan se Berisha po mban Ramën në pushtet, ndërsa demokratët kanë përfunduar rrugëve të botës.

    Postimi i Vrenozit

    Doktor, djali im Enri nuk e përballoi mirë këtë humbje të radhës. Edhe pse unë, si një ujk i vjetër, i thosha herë pas here: “Rama është hajdut, nuk e mundim dot, mos e ngarko shumë trurin,” ai mes lotësh, pas humbjes, më tha:

    “Baba, kam menduar vërtet të iki nga ky vend.”

    Mbeta si i ngrirë… dhe më dhembi shpirti.

    “Çfarë thua o bir?” – i thashë.

    “Nuk mban më ujë pilafi,” më tha.

    “Punoj në dy punë dhe sërish nuk ja dal dot. Një rrogë shkon për qira, tjetra mezi më mjafton për bukën e gojës. Po robtohem 16 orë në ditë e mezi mbush barkun…”

    Demokratët, dhe jo vetëm, po ikin nga sytë këmbët, doktor. Është vrarë shpresa se ndonjëherë Rama do të largohet nga pushteti…

    Doktori im, ti e di që unë të dua shumë. Kam 35 vjet që të mbështes dhe të ndjek kudo. Të dua me shpirt të pastër, pa interes, pa përfitim. Ti je legjendë për demokratët, për të gjitha luftërat dhe betejat që ke bërë në këto 35 vite.

    Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023, ta kam thënë:

    “Doktor Berisha, mbylle aktivizimin tënd politik.”

    Nuk ta thashë kot, ma beso. Por ti vazhdove me një shpirt që të bën të jesh për t’u pasur zili. Je unik për fushatën, për energjinë që ke. I pazëvendësueshëm je… por nuk mjafton kjo për të ardhur në pushtet, ma beso.

    Unë do të ndjek gjithmonë, sido që të ndodhë. Por Rama nuk ikën nga pushteti kështu. Kurrën e kurrës. Ta kam thënë që në vitin 2023: këta pushtetin nuk e lëshojnë me votë. Mendoj që nuk ia vlen më të harxhosh energji për këtë politikë. Qetësohu, relaksohu, shëro shpirtin e mendjen…

    Doktori im, demokratët e thjeshtë janë dënuar të rrinë 16 vjet në opozitë. Janë shpërndarë si zogjtë e korbit nëpër botë.

    E di që ti nuk dorëzohesh, nuk je nga ata që heqin dorë nga betejat. Gjithë jetën e ke kaluar në tavolinën e punës. Je kolos. Je unik. Por ma dëgjo një fjalë…

    Mbi 500 mijë demokratë të dhanë votën përsëri para një jave. Të mbështetën me shpirt e zemër. Por nuk mjaftojnë për të ardhur në pushtet.

    A nuk ka ardhur koha të mendosh se duhet diçka e re? Duhet një shpresë për këta demokratë që kanë 12 vjet që largohen nga ky vend, nga sytë këmbët…

    Tani do t’ju duhen edhe 4 vite të tjera për të menduar ku do të ikin më tej në cilën rrugë të botës…

    Nuk vazhdohet më kështu, doktor. Demokratët këtë humbje e kanë ndjerë shumë, shumë thellë.

    Mos u largofsh  se ne do të ndjekim prapë  por Rama nuk mundet dot kështu. Sepse ai është një hajdut unik. Ndoshta është vetë “arma” jote që e mban atë në pushtet.

    Demokratët e thjeshtë janë copë-copë nga kjo humbje.

    Mua më dhemb dëshpërimi i djalit nga kjo humbje.

    Fjala që më dhemb më shumë ishte:

    “Do iki nga ky vend…”

    Mezi i rrita me super sakrifica djalin dhe vajzën. I shkollova, shpirti im e di…

    Tani, nëse më ikin që të dy nga Shqipëria, gjysma e trupit tim ka vdekur.

    Na duhet shpresë për rininë, doktor. Sepse brezi im e hëngri. Ne ikëm për lesh… por jo fëmijët tanë. Na dhemb shpirti.

    Nuk e di… por vërtet duhet bërë diçka ndryshe. Demokratët janë në pikë të hallit. Shumë madje. Prandaj… duhet diçka ndryshe. Nuk e di…

    Unë do të vij sot në protestë, kjo nuk diskutohet.

    Por shpirtin e kam të vrarë.

    Plus, Rama nuk pyet për protestat tona.

    Ka 12 vjet që tallet me ne dhe na mund thellë e më thellë në çdo palë zgjedhje.

    A i vjedh? Po, pa diskutim!

    Ai nuk e lëshon pushtetin me votë.

    Ndërsa ne, prapë hyjmë në zgjedhje me hajdutin dhe i themi “mos vidh.”

    Por ai do vjedhë  e ka profesion.

    Mendoj se duhet gjak i ri.

    Duhet rinia.

    Vetëm forca e rinisë do mund ta shtyjë Ramën në greminën politike…

    S’di ç’të them më tepër…

    Shiko dhe bëj ç’të mendon.

    Të dua, doktori im, çfarëdo vendimi të marrësh.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit