6.5 C
Tirana
E martë, 14 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Birra shqiptare “mposhtet” nga importi

    Dorina Azo

    Pas rimëkëmbjes së sektorit në vitin 2021, prodhuesit e birrës shqiptare po vuajnë edhe valën e shtrenjtimit të lëndëve të para. Çmimet e shitjes së birrës vendase janë rritur 7 deri në 10%.

    Shtrenjtimi është ndikuar nga shtimi i kostove prodhuese 30 deri në 50% më shumë se vitin e kaluar. Kompanitë kryesore pohojnë se nga fillimi i këtij viti, po e paguajnë energjinë elektrike 50% më shumë se në 2021.

    Qelqi është shtrenjtuar gjithashtu 70%, lëndët e tjera, si elbi dhe kartoni ambalazhues janë rritur 30% secila në tregjet e huaja. Sipas prodhuesve, për periudhën janar-prill, konsumi është tkurrur krahasuar me vjet, për shkak të rritjes të çmimeve. Birra vendase është zëvendësuar nga birra e importit, kryesisht birra italiane “Peroni”, e cila po fiton shumë terren për shkak të çmimit të ulët të shitjes.

    Kompanitë thonë se për të amortizuar kostot e rritura të prodhimit janë të detyruara të rrisin sërish çmimet e birrës, duke rrezikuar konkurrueshmërinë. Në anën tjetër, jemi para sezonit turistik, ku gjithmonë dyfishohet kërkesa për produkte të gatshme, por parashikimet e kompanive vendase nuk janë optimiste për ecurinë e konsumit të birrës në muajt e verës.

    Prodhuesit, në vështirësi nga shtimi i kostove

    Për periudhën janar-prill, prodhimi i birrës vendase është rritur 17% krahasuar me vjet, sipas të dhënave të Doganave. Ecuria e prodhimit në muajt janar (rritje 100%), shkurt (12,5% rritje) dhe mars (rritje 19,5%) ka vijuar të jetë më e lartë se në vitin 2021, ndërsa në muajin prill është shënuar tkurrje e prodhimit, rreth 15% më pak se vitin e kaluar.

    Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Shqiptare dhe administratori i birrës “Stela”, Stefan Pinguli, pohoi për “Monitor” se në tërësi, sektori po vuan nga shtrenjtimi i lëndëve të para. Sipas tij, rritja e lëndëve të para ka shtuar koston e prodhimit vendas 30% më tepër se vjet. Pinguli nënvizoi se nëse kjo situatë do të vijojë, rendimenti i prodhimit vihet në rrezik real. Për të amortizuar shtimin e kostove, prodhuesit kanë rritur çmimet, ndërsa paralajmërojnë rritje tjetër të birrës vendase me 10%.

    “Çmimet e lëndëve të para janë shtrenjtuar 50% më shumë, duke përfshirë dyfishimin e çmimit të energjisë, naftës mbi 30%, të materialeve të ambalazhimit.

    Rritja e tyre ndodhi që në periudhën e pandemisë, por me fillimin e luftës Rusi-Ukrainë pati rritje tjetër të tyre, sidomos në produktet blegtorale. Kjo na ka detyruar ne si prodhues të rrisim çmimet e produkteve të birrës me 10%. Ndërsa parashikohet një tjetër rritje 5 deri në 10% në muajt në vijim, pasi kompanitë e kanë të pamundur të amortizojnë kostot”.

    Kostot e larta prodhuese janë shqetësim edhe për prodhuesit e birrës “Elbar”. Prej nëntorit të 2020-s, birra “Elbar” nisi të prodhohet në Shqipëri. Më parë, produkti importohej nga Greqia, ndërsa nga “Agna Group” kryhej ambalazhimi. Drejtuesit e kompanisë “ALFA sha” thanë për “Monitor” se rritja e kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para është mbi 30%.

    “Këtë vit ka një rritje të lartë të kostos prodhuese të birrës, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para. Konkretisht çmimi i energjisë nga 11 lekë për kW është rritur në 20 lekë për kW. Ndër lëndët e tjera të para, rritja më e lartë është shënuar te qelqi mbi 70%, tek elbi mbi 30%. Në tregjet e huaja është shënuar rritje edhe te materialet ambalazhuese për kanoçet.

    Ndryshimi për këtë lëndë nuk është reflektuar te kostot e kompanisë, për shkak të kontratës 2-vjeçare që kishim me furnizuesit. Pas përfundimit të saj pritet të shtohet edhe një tjetër kosto. Në këtë situatë, për të amortizuar shtrenjtimin e lartë të kostove, jemi detyruar të rrisim çmimet 6 deri 7%. Rritja e çmimeve ka ndikuar tek ulja e konsumit. Për periudhën janar-prill, konsumi ka qenë 7% më pak krahasuar me vjet”, pohuan për “Monitor” drejtues të kompanisë.

    Rënia e konsumit

    Në këtë situatë, sipas kreut të Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Shqiptare është e domosdoshme që qeveria të miratojë politika fiskale mbështetëse. “Fuqia blerëse është goditur fort nga rritja e çmimeve dhe kjo pritet të sjellë zvogëlim mesatar të konsumit 10 deri në 15%.

    Por kjo situatë ndikon në rentabilitetin e prodhimit. Me kosto të shtuara 30% dhe rënie shitjesh 10%, pa asnjë kompensim nga shteti, këto janë thirrje të industrisë për falimentim. Shteti nuk duhet të bëjë vetëm indeksimin e interesave të tij, por edhe të interesave të prodhuesve, që kanë investuar ndër vite për konsolidimin e tyre”.

    Birra italiane fiton terren në treg

    Administratori i birrës “Stela”, Stefan Pinguli, thekson se industria e birrës është në vështirësi dhe prodhimi vendas po zëvendësohet nga marka të lira të birrave italiane.

    “Në vend po hyjnë birra të huaja, kryesisht italiane, me çmim më të lirë se birra e prodhuar në vend. Nuk mendoj se ulja e çmimit të importit është ndikuar nga hyrja e tyre kontrabandë, por këto kompani po shesin në Shqipëri produkte me çmim më të lirë të mallit stok të pandemisë. Situata po dëmton industrinë, pasi prodhimi vendas po zëvendësohet nga birra e lirë e importit”.

    Prodhues të tjerë pohuan se në treg po rritet pesha e birrës italiane të importit “Peroni”, për shkak të çmimit të lirë. “Nëse një kanoçe birrë e madhe e kompanisë sonë shitet 78 lekë, një kanoçe ‘Peroni’ po shitet 48 lekë (30% më lirë). Birra italiane po fiton shumë terren në tregun shqiptar, për shkak të çmimit më të lirë. Kjo ndodh pasi në Itali, prodhuesit nuk janë prekur nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”, pohoi një nga prodhuesit shqiptarë të birrës.

    Importet ia kalojnë prodhimit vendas

    Sektori i prodhimit të birrës vendase vjet nuk arriti t’i rikthehet trendit të periudhës para krizës. Sipas të dhënave të Doganave, për vitin 2021, prodhimi ishte 7,5% më shumë se në 2020-n, por 7,6% më pak se në vitin 2019.

    Operatorët e lidhën kthimin e konsumit në normalitet, pas 2020-s me karantinë dhe kufizime eventesh dhe dasmash me mosmbylljen e ekonomisë. Konsumi më i lartë në 4-mujorin e parë të 2021 ishte në shërbimin HoReCa (Hotele-Restorante-Kafene), krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sepse nuk pati mbyllje të këtyre strukturave. Duhet theksuar se edhe moslejimi i dasmave, festave apo edhe orari i bareve dhe restoranteve, pati ndikim vitin e kaluar te konsumi.

    “2020 ishte viti më i vështirë për industrinë, pasi u mbivendosën dy ngjarje, të cilat e tronditën dhe e vunë në vështirësi të mëdha sektorin. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia Covid-19, që solli mbylljen e të gjitha njësive të shërbimit dhe një sezon turistik shumë të dobët, ishin pothuajse të papërballueshme.

    Në vitin 2021 u shënua rritje krahasuar me 2020, por në krahasim me vitet para pandemisë, prodhimi është në nivelet 70-80%”, ka thënë pak kohë më parë, z. Luan Bregasi, kryetari i këshillit drejtues të birrës “Tirana”.

    Që prej vitit 2017, importet ia kanë kaluar prodhimit, me përjashtim të vitit 2020, kur vendi vuajti pasojat e pandemisë. Në vitin 2021, importet arritën në 50 milionë litra, niveli më i lartë që nga viti 2018. Vitin e kaluar importet ishin 21% më të larta se prodhimi vendas.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit