10.5 C
Tirana
E premte, 30 Janar, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Disa argumente pse po, prishet martesa dhe për ‘një shpullë’

    Gjatë një diskutimi në “Big Brother VIP Albania 5”, Brikena, e vetëshpallur me kohë ambasadore nderi aty brenda, u shpreh se nuk do ta prishte martesën për një shpullë, sidomos nëse në mes ka fëmijë, duke sjellë si shembull një shoqe italiane që kishte përfunduar lidhjen pas një akti dhune.

    “Një vajzë shqiptare, edhe nëse mbaron dashuria, qëndron për respekt të fëmijëve. Edhe i përballet çdo gjëje, edhe të ketë ndonjë debat. Një shoqe e imja italiane e ka lënë të dashurin e saj pas shtatë vitesh sepse i ka futur një shpullë. Unë personalisht nuk jam dakord.

    Të jesh shtatë vite me një person, të kesh fëmijë dhe të prishesh për një shpullë, nuk e kisha prishur martesën për një shpullë. Nuk po them dhunë, se s’më ka lindur babai për të më rrahur dikush. Por duhet të mendohet për fëmijën, për traumat e fëmijës, a mundet kjo gjë të rregullohet apo jo. Unë personalisht kisha vuajtur vetë, çfarë faji ka fëmija,” ishte deklarata e plotë e saj.

    Fatmirësisht, komentuesit nuk ngurruan ta adresojnë prapambetjen e kësaj deklarate, duke e kritikuar masivisht:

    Disa argumente pse po, prishet martesa dhe për 'një

    Disa argumente pse po, prishet martesa dhe për 'një

    Disa argumente pse po, prishet martesa dhe për 'një

    Disa argumente pse po, prishet martesa dhe për 'një

    Disa argumente pse po, prishet martesa dhe për 'një

    Megjithatë, nëse është dikush që e dëgjoi këtë deklaratë të Brikenës, ra dakord me të, iu ndryshua mendja prej saj apo thjesht e injoroi, le të ndalemi në disa argumente konkrete pse në fakt, fjalë të tilla i përkasin një mendësie problematike.

    Si fillim, problemi i parë është ndarja e dhunës në “të pranueshme” dhe “të papranueshme”. Një tek shpullë nuk është më pak dhunë se “e rrahura” që thotë Brikena duke iu referuar dhunës konstante nga partneri në familje. Shuplaka është dhunë fizike, pavarësisht sesa rast i izoluar mund të duket në moment. Dhe kur normalizohet si diçka për të cilën nuk ia vlen të prishësh një martesë, kështu hap rrugën për justifikime të tjera: sot një shpullë, nesër dy e kështu me radhë.

    Pastaj, ideja se fëmijët përfitojnë ndonjë gjë nga një prind që duron dhunën është një mit i vjetër dhe tingëllon qesharake teksa e lexon e zeza mbi të bardhë. Fëmijët nuk kanë nevojë për një martesë dy njerëzish me çdo kusht më shumë sesa kanë nevojë për një mjedis të sigurt familjar. Të rritesh në një shtëpi ku dhuna relativizohet nuk është më pak traumatike sesa një divorc, madje, siç tregojnë vetë fëmijë që janë rritur në mënyrë të tillë, shpesh është më keq, sepse modeli që u transmetohet është se cenimi i kufijve është diçka që duhet toleruar.

    Deklarata e Brikenës krijon edhe një tjetër problem që e hasim shpesh në përditshmëri po edhe në televizion me sa duket: romantizimi i vuajtjes si virtyt shqiptar. Ideja se “gruaja shqiptare” është “më e fortë” sepse duron më shumë (shpulla) nuk është kompliment, por është thjesht një mënyrë për të justifikuar pritshmëri të padrejta dhe çnjerëzore ndaj saj. Të largohesh nga një marrëdhënie e dhunshme nuk është mungesë përgjegjësie, por vendosje kufijsh e nëse “gruaja shqiptare” është kaq mazokiste, na vjen keq Brikena, por prapë s’është shembull për t’u ndjekur.

    Ideja nuk është t’i bëjmë gjyq publik Brikenës, për sa kohë kjo deklaratë nuk po del nga goja e një profesionisti si psikologu a sociologu i marrëdhënieve familjare, megjithatë kur deklarata të tilla bëhen në një format me audiencë të gjerë, nuk mbeten thjesht mendime personale. Një adoleshent/e i/e ri/e, informacioni i të cilit kufizohet nga algoritmi i Instagramit apo TikTokut, dëgjon deklarata të tilla të servirura si karrem klikimesh (e njohur së fundmi edhe si “ragebait“) dhe e “ha sapunin për djathë”. Dhe në rastin më të keq, kjo nuk ndodh vetëm me adoleshentët.

    Kështu, rrezikohet të përforcohen bindje që shoqëria shqiptare ka nevojë të përpiqet t’i lërë pas, bindje se dhuna “varet nga rasti”, se familja duhet ruajtur me çdo kusht për hir të të qenit familje dhe se durimi është gjithmonë zgjedhje fisnike. (Anabel)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit