23.5 C
Tirana
E hënë, 2 Qershor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Dosja e SPAK-ut: 10 njerëzit që fundosën Ilir Metën, ja rolet e secilit prej tyre

    SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe ish bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie. Nëse gjykata i gjen fajtorë, çifti më i famshëm i politikës rrezikon mbi 10 vite burg.

    Në dosjen e SPAK del në pah roli i personazheve që kontribuan në fundosjen e Ilir Metës, me dëshmi, kallëzime penale, investigime dhe lëvizje të tjera. Në pah dalin gazetarë, avokatë, politikanë dhe biznesmenë, të cilët janë rreshtuar në krahun e drejtësisë, ndonëse Ilir Meta pretendon për një kompot ndaj tij nga grup dibranësh, amerikanësh dhe grekësh.

    Juristi Romeo Kara rezulton në dokumente se ka dhënë kontributin kryesor në kopsitjen e dosjes së Ilir Metës, për episodin korruptiv CEZ-DIA, me investigimin e aferës korruptive, ekspozimin para opinionit publik me fakte, prova dhe evidenca, si dhe me kallëzimin e aferës fillimisht në Prokurorinë e Tiranës, e cila e mbylli disa herë, dhe më pas në SPAK. Denocimet e juristit janë konfirmuar dhe kthyer në akuzë nga SPAK-u. Romeo Kara është përballur me një makineri shpifjesh, kërcënimesh dhe survejimi nga Ilir Meta, Sali Berisha dhe njerëzit e tyre.

    Ish deputeti Halit Valteri ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kopsitjen e dosjes së Ilir Metës, duke kallëzuar në SPAK një tjetër episod korruptiv të kreu të PL-së; Lobimi në SHBA me para të padeklaruara dhe që nuk u dihet burimi. Kallëzimi i Halit Valterit dhe denoncimet e tij publike janë konfirmuar dhe kthyer në akuzë penale nga SPAK-u për Ilir Metën. Valteri është përballur me sulme verbale dhe fizike nga njerëzit e Ilir Metës.

    Avokati Idajet Beqiri është një nga denoncuesit më konsistent i përdorimit të pushtetit nga Ilir Meta dhe Sali Berisha për pasurimin e familjes së tyre. Idjat Beqiri ka kallëzuar Ilir Metën dhe Monika Kryemadhi për një tjetër episod korruptiv; Shërbimet estetike nga Vjena në San Marino me para të padeklaruara dhe që nuk u dihet burimi.

    Gazetari investigativ Artan Hoxha, referuar dosjes së SPAK, ka dhënë një kontribut të shumë të rëndësishëm dhe kyç në sigurimin e dëshmive për korrupsionin e Ilir Metës. Artan Hoxha ka regjistruar dëshminë e shtetasit Elvis Mataj, ish kryetar i LRI-së dhe ish drejtor ekzekutiv i kompanisë DIA, e cila nga hetimi rezulton se është përdorur si kamulim nga Meta për të marrë miliona euro nga CEZ. Elvis Mataj, si njeriu kyç dhe truri financiar i aferës CEZ-DIA ka rrëfyer para Artan Hoxhës rolin e Metës si bosi i madh që fshihej pas skemës korruptive.

    Artan Hoxha e ka regjistruar Elvis Matajn pas dyshimeve që Ilir Meta kishte nisur lëvizjet për të kontraktuar një grup kriminal për të zhdukur fizikisht Elvis Matajn si dëshmitar potencial i SPAK-ut. Si masë mbrojtëse, duke i paraprirë një fati si Remzi Hoxha, Kosta Trebicka apo Eduard Belegu, Elvis Mataj është rrëfyer para Artan Hoxhës.

    Mataj është marrë disa kohë në mbrojtje nga shteti shqiptar, por mosbesimi ishte i madh për shkak të ndikimit dhe forcës korruptuese që kishte Ilir Meta, të cilin Mataj, si themelues i LRI, e njihte mirë. Ndërkaq, Artan Hoxha, USB-në me dëshminë e regjistruar e ka dorëzuar në Ambasadën Amerikane dhe në SPAK. Nga hetimet e kryera, dëshmia e Elvis Matajt përputhet me lëvizjet e Ilir Metës dhe veprimet për finalizimin e skemës së korrupsionit.

    Gazetari Artan Hoxha, gazetari Fatos Mahmutaj dhe juristi Romeo Kara kanë siguruar një tjetër dëshmi të rëndësishme, e cila është përfshirë në dosjen e SPAK. Bëhet fjalë për dëshminë e Vojsava Ismailajt, bashkëshortja e Kastriot Ismailajt, pronarit në letra të kompanisë DIA, njeriu më i besuar i Ilir Metës dhe ‘bankomat’ i tij.

    Hoxha, Mahmutaj dhe Romeo Kara kanë i kanë marrë dëshminë Vojsava Ismailajt, e kanë regjistruar, e kanë publikuar dhe më pas e kanë dorëzuar në SPAK. Ajo, e frikësuar se Ilir Meta mund t’a hiqte qafet, ka rrëfyer në Vjenë se si pas bashkëshortit të saj Kastriot Ismailaj fshihej Ilir Meta, ka treguar kërkesat e Metës për para, tensionet, kërcënimet, hyrje-daljet me çiftin Meta-Kryemadhi etj.

    Dëshmia e Vojsava Ismailaj përputhet me dëshminë e Elvis Matajt dhe me provat e mbledhura nga SPAK për rolin e Metës në aferën CEZ-DIA. Nga ana tjetër, gazetari Fatos Mahmutaj, i cili është plagosur në 21 Janar, ngjarje që u tentua të fshihej nga Berisha, ka dëshmuar në SPAK për mënyrën e sigurimit të dëshmisë së Vojsava Ismailajt.

    Roli i gazetares investigative Lindita Çela në ekspozimin e rolit të Ilir Metës në aferën CEZ-DIA është i pamohueshëm. Lindita Çela është gazetarja që publikoi tek BIRN investigimin për aferën CEZ-DIA në vjeshtën e vitit 2015, duke sjellë dëshminë Jozef Hejsek, ish-shefit ekzekutiv të CEZ Shpërndarje, i cili në procesin e Albitrazhit me palën shqiptare për largimin e CEZ nga Shqipëria, ka rrëfyer se ishte Ilir Meta njeriu që u kërkoi çekëve që të kontraktonin Kastriot Ismailajn për mbledhjen e borxhit të keq, një shërbim i sajua për të vjedhur të paktën 6.5 milionë euro.

    Lindita Çela, e njohur si një gazetare me integritet dhe e guximshme, me investigimin e saj, hapi në 2015 debatin për rolin e Metës në aferën CEZ-DIA, aferë e cila ishte mbyllur vetëm me dënimin e Kastriot Ismailajt, i cili ishte në fakt dora e Ilir Metës. Dëshmia e Jozef Hejsek, është dhënë më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance.

    Tronditja e Ilir Metës ishte i dukshme. Meta sulmoi publikisht gazetaren Lindita Çela si të papërgjegjshme. “Lidhur me investigimin e një agjencie serioze si ‘’BIRN’’, gjithçka është fare e qartë, çdo gjë ka qenë studiuar mirë por operacioni është i mjerë. Publikuar nga gazetarja e papërgjegjshme e BIRN, natyrisht ka bërë shërbimet e saj duke përmirësuar edhe standardin e jetës së saj”, tha Meta.

    Të gjitha përpjekjet, lëvizjet dhe denoncimet për aktivitetin korruptiv të Ilir Metës do të mbeteshin një ‘vrimë në ujë’ pa rolin e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, sulmuar nën dhe mbi brez më shumë se kushdo tjetër nga Ilir Meta dhe Sali Berisha. Që nga viti 2002, drejtësia shqiptare ka pasur në duar fakte dhe prova për veprimtarinë grabiqare të Ilir Metës, por asnjë prokuror nuk pati guximin të ngrinte akuzë ndaj tij.

    Në vitin 2011, pasi u kap me zë dhe figurë duke bërë pazare me pasuritë publike, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi dënimin e Ilir Metës me dy vite burg. Por, dosjen penale të Metës e hodhi në kosh Sali Berisha, i cili në janar 2012 urdhëroi ushtarët e tij në Gjykatën e Lartë të shpallnin Metën të pafajshëm, pas një ekspertimi të rremë që e nxirrte videon me bllokun e zi si manipulim. Kundër pafajësisë së tij votoi vetëm Ardian Dvorani, i cili për vite me radhë i kthye në objekt sulmesh nga Ilir Meta.

    Altin Dumani është njeriu që hetoi Ilir Metën në një klimë të egër sulmesh, kërcënimesh dhe bullizimi nga Meta. Altin Dumani vlerësoi kallëzimet penale me fakte dhe prova konkrete, rregjistroi procedimin penal, kreu hetime të thelluara dhe të gjithanshme, duke faktuar disa episode korruptive dhe pastrimi parash nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

    Edhe pse prokurorët kryesor të çështjes janë Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, Altin Dumani është padyshim heroi i goditjes penale të Ilir Metës, një nga simbolet më të theksuara të murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri dhe korrupsionit elitar. Dumani u kthye në mburojën e breshërit politik për dy prokurorët Kraja dhe Kllapi, siguroi dëshmitë kundër Ilir Metës dhe finalizoi hetimet për disa linja korrupsioni dhe pastrimi parash, me fakte dhe prova.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit