Irena Gjoka është gjyqtarja e re që do të gjykojë dosjen ‘Gërdeci’, në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Bëhet me dije pas dorëheqjes së gjyqtarit Erjon Çela, shorti ka caktuar gjyqtaren Gjoka.
Gjoka do të shqyrtojë gjykimin në seancë paraprake për akuzat për shpërdorim detyre ndaj ish-ministrit.
Gjyqtari Erjon Çela u tërhoq nga dosja ‘Gërdeci’, pasi në një gjykim të mëparshëm për këtë çështje vendosi mos rihapjen e hetimet për këtë dosje.
SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.
Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues.
Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.