Kryeministri shqiptar Edi Rama renditet ndër liderët ndërkombëtarë me nivel relativisht të lartë besimi mes qytetarëve italianë, sipas një sondazhi të publikuar nga YouTrend për revistën L’Espresso.
Në renditjen e besimit neto, Rama ndan vendin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, me 29% vlerësim pozitiv, duke u pozicionuar në mesin e liderëve më të vlerësuar nga publiku në Itali.
Sondazhi tregon se në krye të listës qëndron kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, i cili gëzon 51% besim neto, duke u shkëputur ndjeshëm nga liderët e tjerë ndërkombëtarë.
Pas tij renditet kancelari gjerman Friedrich Merz me 35%, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndajnë të njëjtin nivel besimi prej 34%.
Në fund të renditjes ndodhen disa nga liderët më të fuqishëm globalë. Presidenti amerikan Donald Trump regjistron vetëm 14% besim neto, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping ka 12%.
Edhe më poshtë qëndron presidenti rus Vladimir Putin me 10%, ndërsa vendin e fundit e mban presidenti turk Recep Tayyip Erdogan me 8% besim neto.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për nivelin e njohjes, renditja ndryshon. Liderët më të njohur për italianët janë Vladimir Putin dhe Donald Trump, të njohur respektivisht nga 91% dhe 90% e të anketuarve. Pas tyre vijnë Emmanuel Macron me 79% dhe Volodymyr Zelensky me 78%.




