Kryeministri Edi Rama është nisur këtë të mërkurë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas ftesës së presidentit Donald Trump, për të firmosur marrëveshjen për përfshirjen e Shqipërisë si anëtare në Bordin e Paqes për rindërtimin e Gazës.
Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm kur marrëveshja u firmos me udhëheqësit globalë disa javë më parë, sepse kishte zgjedhur që të qëndronte në Shqipëri atë ditë për të pritur vajzën e Donald Trump, por sqaroi se do të ishte i ftuari i presidentit amerikan në Uashington.
Mirëpo, teksa kryeministri shqiptar udhëton drejt Amerikës për këtë vizitë speciale në Shtëpinë e Bardhë, në Tiranë kanë plasur debatet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Eurodeputeti gjerman Michael Gahler, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të agjendës së zgjerimit si pjesë e delegacionit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), i ka kërkuar llogari Taulant Ballës si kreu i Grupit të PS, se përse Shqipëria i është bashkuar nismës së Trump.
Sipas Michael Gahler, në një kohë kur Bashkimi Europian nuk është shprehur dhe as ka mbajtur qëndrim për Bordin e Paqes që ka për synim rindërtimin e Gazës, si mund të pranonte Shqipëria menjëherë ftesën e Presidentit të SHBA.
Ndërkohë, politikani i lartë socialist është përgjigjur duke theksuar se Shqipëria ka një “marrëdhënie të veçantë” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse zyrtarët e BE-së duhet të pyesin institucionet e tyre se përse Bashkimi Europian nuk merr pjesë në këtë strukturë.
“Zoti Gahler bën mirë të pyesë Këshillin Europian pse ju vetë si BE nuk keni një pozicion të përbashkët për këtë çështje”, është shprehur Taulant Balla.
Në këtë takim, Taulant Balla ka ngritur shqetësimin edhe për gjyqin e Hagës kundër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se çdo përpjekje për të barazuar viktimat me autorët do të sillte destabilizim. Ai i ka kërkuar delegacionit që Parlamenti Europian të merret me këtë çështje.



