Fatos Lubonja e ka cilësuar organizimin e mitingut me punonjësit e bashkisë nga kryeministri Edi Rama si “krim elektoral”.
Në emisionin “Open” në News 24, Lubonja e quajti Ramën, “hije të shëmtuar të diktatorit Enver Hoxha, pasi organizoi mitingun me punonjësit e bashkisë, në ditën e përkujtimit të rrëzimit të shtatores së diktatorit, më 20 shkurt 1991”.
Lubonja tha se mitingu në sheshin “Skënderbej” ishte një akt poshtërues dhe demonstrim force ndaj SPAK.
“Një poshtërim për ata që ishin mbledhur aty, se nuk ishte mbledhje pune, ishte një kërcënim, jo vetëm për SPAK, por dhe për ne mediat.
Ai foli me një gjuhë rrugaçi, deliranti, që ka ndjenjën e ominipotencës. Kishte disa shkelje të kushtetutës në fjalimin e tij, për të mos folur për moralin e komunikimit, dhe ata njerëz që rrinin si dele.
Ditën që u përmbys Enver Hoxha, del një hije e shëmtuar e tij, sepse Enver Hoxha e thoshte partia, ky thotë e them unë.
Ç’punë ka kryeministri aty, ky është shtet personal, që është dhe kryetar i Tiranës. Është bërë për t’u lidhur, me fjalët banale që përdori”, tha Lubonja.